Abazoviç: Po të isha kryeministër, Mali i Zi do të votonte kundër

Vota kundër Kosovës ka futur në sherr partitë shqiptare me ato malazeze në qeverinë aktuale të Miljoko Spajiç. Zv.kryeministri Nik Gjeloshaj dhe ministri i Administrates Publike, Marash Dukaj e kanë uruar popullin e Kosovës për votimin pro saj me shumicë dërrmuese pavarësisht qëndrimit kundër nga përfaqësuesja malazeze në komitetin për çështje politike të KiE.

Ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, Fatmir Đeka, i cili është kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, e vlerësoi votën e deputetit Vukiçeviç si të dëmshme për integrimin europian dhe kundër marrëveshjes së koalicionit.

Para formimit të qeverisë aktuale të Milojko Spajiç, partitë e shumicës, përfshirë ato pro serbe nënshkruan një marrëveshje koalicioni në të cilën u angazhuan që “të respektonin kursin euroatlantik të vendit dhe të zhvillonin bashkëpunim miqësor edhe me të gjitha shtetet fqinje të njohura nga Mali i Zi ndër to edhe Kosovën.

Ish-kryeministri Dritan Abazoviç ka deklaruar se po të ishte ende në krye të qeverisë Mali i Zi nuk do të votonte kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Abazoviç kjo ndodhi sepse shumica aktuale qeveritare është krijuar nga parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, program dhe vlera evropiane.

“Gjatë mandatit tim e kemi përkrahur plotësisht Kosovën, por ky është një realitet i ri”, tha kreu i GP URA tashmë në opozitë.

Përfaqësuesja e shumicës qeverisëse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetja Maja Vukiçeviq e Partisë Popullore Demokratike, votoi këtë javë kundër anëtarësimit të Kosovës në atë organizatë.

Qeveria e Spajiç dhe presidenti Jakov Milatoviç nuk reaguan ndaj votës së Maja Vukiçeviq, ndërsa opozita socialdemokrate e vlerësoi si antievropiane.

Partia e Vukiçeviq në koalicion me shqiptarët synon tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga NATO.

Klan News