Golden DKreu i Agimit të Artë, Nikos Mihaloliakos dhe 17 deputetët e kësaj partie do të dalin të hënën para gjykatës në Athinë.

Ata janë mes 69 të pandehurve, në procesin kundër partisë neonaziste greke, që konsiderohet si organizatë kriminale.

Procesi, nisja e të cilit përkon me ditën e lindjes së Adolf Hitlerit, konsiderohet i paprecedent në historinë Europiane. Për të parën herë pas Luftës së Dytë Botërore ulet në bangën e të akuzuarve një parti politike parlamentare.

Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat e krijimit dhe pjesëmarrjes në organizata kriminale.

Disa prej tyre akuzohen edhe për vrasjen e këngëtarit antifashist, Pavlos Fyssas dhe të një emigranti nga Pakistani. Gjykatësit pritet të përcaktojnë nëse organizata është një morfemë e tipit nazist e kamufluar si parti politike.

Gjyqi, që pritet të zgjasë rreth një vit, do të zhvillohet në një sallë të vogël në burgun e Koridalosit. Salla nuk ka kapacitet për zhvillimin normal të një procesi me kaq shumë të pandehur, me 100 avokatë mbrojtës dhe të paktën 130 dëshmitarë.

Mungojnë gjithashtu hapësirat për gazetarët. Banorët e zonës përreth burgut të Koridalosit janë kundër këtij procesi.

Sipas tyre, masat e larta të sigurisë do të krijojnë probleme me procesin mësimor në 11 shkollat e zonës, ku ka nisur sezoni i provimeve. Ndaj ekziston mundësia që pas leximit të aktakuzës, gjyqi të ndërpritet për të rinisur në fund të këtij sezoni.

Tv Klan