Projekti për tharjen e kënetës së Maliqit në fillim të vitit 1946, rezultoi një kalvar i gjatë për 7 inxhinierët që e nisën atë. I cilësuar si një nga veprat më ambicioze të kohës, ajo u bë edhe arenë e luftës politike. Jo vetëm për shkak se në kënetë punët më të rënda i kryenin të burgosurit politikë, por edhe sepse nisja e punës u pasua nga një gjyq që kishte për protagonist inxhinierët më të mirë të kohës së fushës së bonifikimit.

Në krye të grupit të punës ishte inxhinieri Abdyl Sharra, e pas tij Vasil Mano, Aleks Vasili dhe italiani Mario Garnieri së bashku me 3 gjeometra të tjerë. Të gjithë u akuzuan për tradhëti dhe sabotazh. Aktakuza e kohës fliste për lidhjen e tyre me shërbimin amerikan për të minuar punën e qeverisë komuniste.

Tharja e kënetës në zonën e Maliqit do të sillte lirimin e 2000 hektarëve, e cila e kthyer në tokë bujqësore do të ishte zemra e bujqësisë në Korçë. Një punë kolosale, e cila ishte parashikuar të mbyllej për 4 muaj, por që mbeti përgjysmë dhe deri në fillim të viteve ‘50 nuk arriti të merrte një zgjidhje. Me 8 nëntor 1946 nisi gjyqin ndaj inxhinerëve dhe teknikëve të Maliqit, të cilët u ekzekutuan pikërisht në fushën ku pretendohej të merrte jetë projekti ambicioz i komunizmit.

Me 21 nëntor më pas u arrestuan pjesa tjetër e punëtorëve dhe teknikëve të projektit, të akuzuar sërish si sabotatorë të pushtetit.

Pasues të viktimave pohojnë se nuk kishte asnjë provë për tradhëtinë e tyre, por gjyqet ishin një mënyrë për të justifikuar punën e ngadaltë dhe për të zhdukur shtresën e intelektulëve. Në përkujtim të 21 Nëntorit të para 71 viteve, të afërm të viktimave dhe të të arrestuarve të grupit të Maliqit u mblodhën në fakultetin e Inxhinerisë së Ndërtimit  për të rrëfyer pjesë të kësaj të kaluare për familjarët e tyre të pafajshëm.

Në kuadër të kontributit të dhënë, kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet, Gentiana Sula propozoi vendosjen e emrave të këtyre heronjve në ato vepra që mbajnë firmën e tyre.

“Ka shumë rëndësi që vepra e tyre të mos tjetërsohet, mos humbasë, mos mbesë anonime. Është e udhës që të paktën vendi i ekzekutimit të shënohet. Dhe të paktën te memoriali i Maliqit të thuhet që personat nuk kanë ende varr”.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu