Një dite pas dështimit te zgjedhjeve në veri ku serbët bojkotuan votimin për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave në veri kryeministri Kurti u ka bërë thirrje që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë dhe banesave .

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës: Të dashur bashkëqytetarë të komunitetit serb, boshnjak, turk, ashkali, egjiptian, romë e goranë. Prej dy javësh ka filluar një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të vendit tonë, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Ai bëhet çdo 10 vjet dhe është përcaktues për dekadën. Pjesëmarrja e secilit nuk është thjeshtë një shënim statistikor, është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë.

Kurti ka thënë se komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit sepse në bazë të regjistrimit të popullsisë bëhet ndarja dhe shpërndarja e parave të buxhetit të shtetit edhe për shërbimet sociale dhe shëndetësore.

Ndërkaq Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë masat ndëshkuese sepse pretendon se me procesin zgjedhor të 21 Prillit e ka përmbushur tashmë detyrimin për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Në fakt nisma për shkarkimin e kryetarëve në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok dështoi, pasi u paraqiten vetëm 253 persona votuan prej 46.556 qytetarëve që kishin të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues. Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.

Qeveria Kurti fajësoi për këtë trysninë e madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. “Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, tha Qeveria.

Nisma për largim ose jo të kryetarëve u organizua pasi bashkësia ndërkombëtare kërkoi largimin e kryetarëve shqiptarë nga pozitat e tyre, duke theksuar se, ndonëse procesi i prillit të vitit të kaluar, kur ata i kanë fituar zgjedhjet ishte i ligjshëm, megjithatë, ai nuk e pasqyroi vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet e prillit të vitit 2023 u organizuan pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës. Edhe në ato zgjedhje, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e kishte bojkotuar procesin zgjedhor.

Blloku evropian ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në votimet 21 Prillit edhe pse paraprakisht ishte deklaruar pozitivisht për to.

Klan News