Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian kritika Vetëvendosjes

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka shprehur kritika ndaj sulmeve që bëhen online nga përkrahës të partisë së kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosja.

Duke shpërndarë një artikull të “Ballkan Insight”, ajo ka thënë se ushtria dixhitale e VV-së kufizon lirinë e fjalës.

Në artikullin, të cilit i referohet Cramon me titullin “Është koha që qeveria të dënojë ushtrinë e saj sulmuesve kibernetike” thuhet se “në Kosovë, ish-anëtarët e partisë në pushtet Vetëvendosje kanë konfirmuar gjithashtu ekzistencën e një ushtrie dixhitale që ka për detyrë të përhapë informacione, të rrisë praninë dixhitale dhe të synojë pikëpamjet e kundërta.”

Sipas “Ballkan Insight”, përdorimi në rritje i ‘vigjilentëve dixhitalë’ për të njollosur dhe ngacmuar kritikët dhe kundërshtarët në internet po kontaminon hapësirën dixhitale dhe po gërryen lirinë e shtypit.

Kosova ka rezultate mjaft të mira për sa i përket lirisë së shtypit në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe ka një sistem mediatik pluralist. Por pavarësisht kësaj, thuhet në artikullin e shpërndarë edhe nga raportuesja Cramon, Kosova po dështon të adresojë çështjet e “vigjilencës dixhitale” kundër aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë që kritikojnë qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.

Në të shumtën e rasteve kjo “ushtri online” e Vetëvendosjes reagon në sondazhe dhe në komente të postimeve të liderëve politikë të VV-së apo të kundërshtarëve të saj. Kanë rrjetin e tyre shumë të organizuar dhe reagojnë me shpejtësi në përkrahje të Albin Kurtit apo në kundërshtime dhe ofendime ndaj kundërshtarëve politikë.

Vetëm pak ditë më parë, Cramon ishte përfshirë në një replikë me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Kohë më parë, ish-deputeti Florin Krasniqi kishte konfirmuar se në VV ekzistonte një zyrë që merrej veç me aktivitetin në rrjete sociale, ku sulmoheshin persona me bindje të ndryshme.

Klan News