Departamenti amerikan i Shtetit dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë po i bëjnë thirrje Rusisë që të gjejë dhe të ndjekë penalisht autorët e vrasjes para 11 vjetësh të gazetares, Anna Politkovskaya.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se mungesa e zgjidhjes për vrasjen e zonjës Politkovskaya dhe gazetarëve të tjerë në Rusi, si edhe kërcënimet ndaj gazetarëve, e kanë keqësuar më tej atmosferën e frikësimit për shtypin e pavarur.

Harlem Desir, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias tha se është e papranueshme që organizatorët e vrasjes së Politkosvkayas dhe gazetarëve të tjerë mbeten të lirë.

“Ky rreth vicioz pandëshkueshmërie ka një efekt të vazhdueshëm në gjendjen e lirisë së medias në Rusi”.

Politkovskaya ishte një gazetare e njohur në gjithë botën për shkrimet e saj për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin në Çeçeni dhe pjesë të tjera të Kaukazëve, që vuanin nga një kryengritje vdekjeprurëse islamike. Ajo ishte gjithashtu kritike e ashpër e Kremlinit./VOA