porti-durres

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 3 punonjësit e Doganës dhe dy efektivë të Policisë Kufitare, pasi dyshohet se lejuan trafikimin e 1,6 tonëve kanabis përmes portit detar.

Gjyqtarja Anita Mici vendosi që doganierët Redi Demiri, Leonard Gremi e Ilir Shtama dhe efektivët e policisë, Fitim Demollari e Artur Habibi, të qëndrojnë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar kalimin e drogës.

Droga u bllokua më 17 Nëntor të këtij viti në Portin e Barit. Policia italiane gjatë kontrollit të një kamioni sekuestroi sasinë rekord të kanabisit.

Andre Leshi dhe Dorjan Lleshi u arrestuan nga autoritet italiane ndërsa u ngritën dyshime të arsyeshme se kamioni ishte lejuar të kalonte nga punonjësit e Doganës dhe Portit të Durrësit.

Disa ditë më vonë, pas hetimeve të prokurorisë, u arrestuan dy punonjës të kompanisë private “Rapiscan”, që kryen skanimin e automjeteve në Port.

Fatjon Trazhnjeva dhe Edmod Hysko u ndaluan dhe nga gjykata u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”. Hetimet vazhdojnë pasi ka dyshime se janë të përfshirë dhe të tjerë persona.

Tv Klan