Parlamenti nuk ka miratuar ende projektligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, duke bërë të pavlefshëm hyrjen në fuqi të ndalimit të ofertave të pakërkuara nga 1 korriku i këtij viti.

Ishte fillimisht Fondi Monetar Ndërkombëtar e më pas Banka Botërore, që kërkuan ndalimin e ofertave të pakërkuara në kontrata shtetërore. Qeveria punoi për të ndryshuar ligjin aktual, ndërsa projekti i sjellë në fillim të këtij viti mori votat e deputetëve të mazhorancës gjatë diskutimit në komisionet parlamentare.

Por pavarësisht kësaj, ligji i ri ende nuk është miratuar seancë plenare prej 4 muajsh. Mësohet se projektligji është futur në rendin e ditës për t’u votuar në muajin Prill, por më pas është tërhequr.

Në bazë të procesverbaleve të Kuvendit, rezulton se kërkesa për tërheqjen e tij është bërë nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i cili po ashtu rezulton të ketë patur edhe një debat për këtë çështje me kreun e Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ky i fundit ka insistuar në miratimin e shpejtë të ligjit si një kërkesë që ka ardhur nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndryshimet e bëra në ligjin e koncesioneve ndalojnë ofertat e pakërkuara në fushën e infrastrukturës dhe po ashtu përjashtojnë dhënien e bonusit për sektorët e tjerë ku lejohet të ketë propozime të tilla si portet, aeroportet, energjia, turizmi dhe bujqësia.

Nëse një kompani shpreh interes për të ndërtuar një vepër dhe dorëzon projektin, ligji që duhet të miratohet vendos standardin e eleminimit të shpërblimit me pikë shtesë në garë, e në bazë të ofertës më të mirë ekonomike shpallej fituesi, ndërsa pala propozuese merr në formë pagese shpenzimet për bërjen e projektit.

Tv Klan