“Jo shumicës që kthen vendin prapa”

Në një tavolinë janë ulur përfaqësuesit e anti-NATO-s, anti-BE-së, anti-Prespa dhe strukturave anti-demokratike në vend, pjesëmarrësit e veprimeve të përgjakshme të 27 Prillit, bashkë me ata që në mënyrë deklarative angazhohen për kursin euro-atlantik të vendit dhe që u rrahën më 27 Prill, thuhet në reagimin e parë të LSDM-së, pasi VMRO-DPMNE, ASH, AAA, BESA dhe “LEVICA” njoftuan se kanë formuar shumicë të re parlamentare.

“Nëse me të vërtetë kanë shumicë të re parlamentare, presim që kjo të konfirmohet nëpër procedurat përkatëse parlamentare dhe zgjedhjes eventuale të qeverisë së re. Respektivisht do të shohim nëse do të zgjidhet një qeveri e re anti-demokratike, anti-Prespa, anti-NATO dhe anti-BE”, thuhet në reagimin e LSDM-së.  

Socialdemokratët e Zoran Zaevit thonë se nuk do të lejojnë destabilizimin e vendit, shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës, përplasje të reja me fqinjtë dhe shfuqizimin e të gjithë të arriturave të vendit.

  “Në mesin e deputetëve ka njerëz që nuk duan të hyjnë në pakt me nacistët dhe fashistët e “Levicës” që haptazi janë kundër NATO-s. U bëjmë thirrje të gjithë forcave demokratike dhe deputetëve që të mos lejojnë të vënë vulë të përhershme me votën e tyre dhe të përmenden si deputetë dhe njerëz që sollën përplasje të reja me fqinjtë, që çuan vendin prapa në rrugën drejt BE-së dhe në konflikte të reja ndëretnike”. 

Situatën e krijuar me shumicën e re parlamentare e ka komentuar përmes Facebookut, lideri I BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, situata menaxhohet nëpërmjet kontaktit intensiv më të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, fqinjësisë së mirë, NATO-n, BE-në, Republikën e Kosovës dhe gjuhën shqipe. 

“Për zhvillimet aktuale jam në kontakt dhe në koordinim me partnerët tanë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO dhe Bashkimin Europian.  Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori.  Kam shumë telefonata, porosi dhe përkrahje nga të gjitha anët. Ju them që bashkë do t’ia dalim”.

Reagimet e këtilla vijnë pasi në përbërjen e shumicës së re parlamentare gjendet edhe partia “E MAJTA” që drejtohet nga Dimitar Apasievi, parti kjo e njohur në opinion e Maqedonisë së Veriut për qëndrimet antishqiptare, antiamerikane, anti-NATO, anti-BE, kundër Marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë dhe parti që kërkon të tërhiqet njohja e Kosovës.

Kjo parti, gjithashtu, zëshëm ka kërkuar që të ndalohet thirrja e Ezanit nëpër Xhami gjë që ka shkaktuar zemërimin e komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm.  

Tv Klan