Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama nëpërmjet një deklaratë për shtyp ka akuzuar Komsionin Qendrot të Zgjedhjeve, pasi kjo e fundit ka vendosur që të zhvendosë KZAZ-në 80-të në Dropull, dhe ta kalojë atë në Grapsh.

Sipas, Ramë ky vendim i marrë ditën e hënë është një përpjekje, e ligë për të prishur, për të cenuar dhe për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve normale më 25 qershor në KZAZ-në e Bashkisë së Dropullit.

Deklarata e plotë:

 

Jam sot këtu në këtë konferencë për shtyp për të denoncuar një vendim krejtësisht absurd dhe në dëm të zhvillimit të një procesi normal, korrekt dhe në përputhje me standardet të zgjedhjeve të 25 qershorit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili në papërgjegjshmëri të plotë dhe me absurditetin e një akti që nuk ka logjikë, nuk ka sens, nuk ka arsye që ta kuptoj dhe ta pranoj, ka vendosur në mbledhjen e djeshme ta zhvendosë qendrën e KZAZ-së numër 80 të Bashkisë së Dropullit nga vendi tradicional ku është zhvilluar, ku ka qenë e vendosur gjithmonë KZAZ-ja në ambientet shkollës në fshatin Jorgucat, duke e zhvendosur qendrën e KZAZ-së në ish-shtëpinë e kulturës të fshatit Grapsh të Bashkisë së Dropullit.

Ju, por edhe cilido mund të pyesë çfarë bëri Jorgucati dhe çfarë bëri Grapshi? Në thelb, do t’ua shpjegoj edhe më pas, është në përpjekje djallëzore tinzare, është një përpjekje e ligë, për të mos bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve më 25 qershor në KZAZ-në 80 të Bashkisë së Dropullit. Konkretisht, ambientet ku ishte vendosur KZAZ-ja deri dje në shkollën moderne, të rikonstruktuar dhe me të gjitha kushtet e nevojshme të fshatit Jorgucat mund t’i shikoni nëpërmjet fotove po ju paraqesim.

Në fotot respektive mund të shikoni sallën e numërimit të fletëve të votimit ku kanë qenë të montuara edhe monitorët dhe e gjithë infrastruktura. Më tej, në foto mund të shikoni pamje nga ambientet e brendshme të shkollës ku ishte e vendosur KZAZ-ja numër 80 të cilat largohen nga ky vend dhe janë vendosur në këtë ambient që ju mund ta shikoni në foto. Ambientet e qendrës së kulturës në Grapsh. Pra, nga ai ambient në Jorgucat janë zhvendosur në ambiente tërësisht të papërshtatshme.

Çfarë dëshmon kjo gjë? E para është një përpjekje, edhe një herë e them, e lig për të prishur për të cenuar dhe për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve normale më 25 qershor në KZAZ-në e Bashkisë së Dropullit.

E dyta, pas këtij vendimi fshihet në prapavijë produkti i marrëveshjes së Rilindjes me aneksin e Rilindjes, pasi përfaqësuesit e të dyja partive të bëra një, asnjëherë nuk kanë zhvilluar mbledhje në këtë KZAZ me gjithë protestat dhe ngritjen e këtij shqetësimi që kanë bërë përfaqësuesit e LSI-së pranë trupave apo institucioneve të hierarkisë së zgjedhjeve.

Ndërkaq, kryetari i bashkisë së Dropullit i është drejtuar zyrtarisht me shkresë edhe prefektit të Gjirokastrës edhe KQZ-së dhe ku ka kërkuar të mos zhvendoset KZAZ-ja nga mjediset e shkollës në Jorgucat për t’u zhvendosur në Grapsh, sepse më lejoni të lexoj një pjesë nga letra e tij “ambientet në fshatin Grapsh nuk kanë kushte sigurie për shkak se ndërtesa është përdhese dhe dritaret shumë të ulëta e pa xhama. Nuk disponohet internet, nuk ka kushtet më elementare të higjienës pasi mungon uji i pijshëm dhe tualetet. Ndërkaq, shkolla e Jorgucatit i plotëson të gjitha këto kushte që përmenda më lart dhe përvoja e zgjedhjeve të mëparshme ka treguar se sigurimi i një procedure normale për zgjedhjet mund të bëhet vetëm në këtë ambient, pasi siguron edhe një territor të bollshëm për parim dhe është i tëri i rrethuar”.

Shkolla në fshatin Jorgucat ka ambiente të jashtme të bollshme, për vëzhguesit, për përfaqësuesit e partive dhe kështu me radhë. Ndërkohë në shkollën e fshati Jorgucat edhe ambientet e brendshme janë të gjitha të gatshme për të realizuar drejtimin e të gjithë procesit zgjedhor nga kjo KZAZ në mënyrë korrekte në përputhje me ligjin dhe me standardet që kërkon OSBE/ODIHR-i.

Prandaj, duke e denoncuar publikisht këtë akt të papërgjegjshëm dhe provokativ të KQZ-së, meqenëse sot në ora 18:00 KQZ-ja ka një mbledhje i bëj apel ta shqyrtojë me shumë përgjegjësi kërkesën që ka bërë LSI-ja që të kthejë qendrën e KZAZ-së atje ku ka qenë historikisht në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Bashkinë e Dropullit.

Ose përndryshe, duke e lënë qendrën e KZAZ-së atje ku e ka vendosur dje në ato rrënoja që patë, ata janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve në këtë KZAZ në datën 25 qershor.

Jo vetëm kaq por ky është dhe një akt i rëndë provokativ për të diskriminuar qytetarët shqiptarë, votues të Bashkisë së Dropullit, vëllezërit tanë minoritarë, të cilët në këtë mënyrë diskriminohen për të mos i lejuar që të votojnë ashtu siç do të votojnë të gjithë shtetasit shqiptarë në Republikën e Shqipërisë.

Ky është edhe një akt tjetër provokativ që cenon marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona dhe midis dy popujve tanë. Prandaj KQZ ka shansin dhe përgjegjësinë ta korrigjojë idiotësinë që ka bërë vetë dhe ta kthejë menjëherë KZAZ-në e Dropullit atje ku ka qenë tradicionalisht.

Të ikësh nga mjediset, e them pa asnjë rezervë, luksoze dhe tërësisht komode dhe ta vendosësh KZAZ-në në ambiente të shkatërruara do të thotë që në KQZ ose janë të verbër, ose janë budallenj, ose janë të ligj dhe të poshtër dhe duan të provokojnë përgjegjësinë, vullnetin, gatishmërinë dhe qytetarinë e minoritarëve të Dropullit për të mos i lejuar ata që të zhvillojnë zgjedhje më 25 qershor. Ato ambiente është e pamundur të ristrukturohen, të bëhen të vlefshme për të garantuar të tërë facilitetet e infrastrukturës në funksion të zgjedhjeve.

Për sa thashë këtu, kam kërkuar takim urgjent me shefin e Misionit Monitorues të OSBE-ODIHR-it në Tiranë, me ambasadorin Peter Tejler. Kam kërkuar të vë në dijeni zyrtarisht ambasadoren e Greqisë në Tiranë dhe gjithashtu ambasadorë të tjerë të vendeve të Bashkimit Evropian. Sepse edhe një herë e theksoj që ky është një akt i papërgjegjshëm, është një provokim i rëndë dhe i shëmtuar që kërkon të diskriminojë shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe të përjashtojë minoritarët e Dropullit nga e drejta e tyre për të votuar si të gjithë qytetarët shqiptarë më 25 qershor, në zgjedhjet e së dielës.

Kjo përpjekje okulte është në vazhdën e përpjekjeve të bëra edhe më parë për të provokuar dhe për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve në përpurthje me standardet e OSBE-ODIHR-it.

Një përgjigje KQZ-ja e mori sot nga Kolegji Zgjedhor. Por e siguroj KQZ-në që pas këtij provokimi përgjigja do të jetë e të gjithë qytetarëve shqiptarë që duan zgjedhjet të lira, të ndershme e korrekte dhe për të respektuar të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, qoftë ky shqiptar apo përfaqësues i minoritetit grek apo çdo minoriteti tjetër apo pakice në Shqipëri, në përputhje me të gjitha kartat dhe të drejtat ndërkombëtare, por edhe në përputhje me të drejtën kushtetuese që ua jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, meqë kanë mbledhje sot në orën 18:00 e ftoj KQZ-në të korrigjojë gabimin e bërë dhe të mos vazhdojë të provokojë në këtë mënyrë, duke dëshmuar se ajo që trupa kryesore për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta po shndërrohet në një mekanizëm të verbër për të sabotuar zgjedhjet e lira, të ndershme, të barabarta dhe të drejta në Shqipëri./

tvklan.al