Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky në fjalën e tij ka thënë se situate në frontin lindor të luftës është përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme ditëve të fundit pas intensifikimit të ofensivës ruse.
Syrsky, i cili e ka marrë këtë pozitë në shkurt, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka shkarkuar paraardhësin e tij, Valery Zaluzhny, ka thënë se rusët kanë armë superiore. Ai ka folur të shtunën për intensifikim të madh të ofensivës së Rusisë pas zgjedhjeve presidenciale, në mesin e marsit, dhe ka shtuar se vendimet po merren për forcim të mbrojtjes në zonat më problematike, përmes luftës elektronike dhe mbrojtjes ajrore.

Oleksandr Syrsky, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase: Armiku është duke sulmuar vazhdimisht pozicionet tona në Liman dhe Bahmut përmes sulmeve grupore, të mbështetura prej pajisjeve të armatosura. Në sektorin në Pokrovsk, ata po tentojnë të thyejnë mbrojtjen tonë, duke përdorur dhjetëra tanke dhe bartëse të armatosura të personelit”. Ai ka thënë se Rusia po shton përpjekjet në luftë, duke angazhuar njësite të reja të armatosura, të arrijnë sukses taktik.

Oleksandr Syrsky, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase: Çështja e arritjes së superioritet teknik ndaj armëve të teknologjisë së lartë të armikut, është ngritur sërish. Vetëm kjo do të na mundësojë të mposhtim një armik të madh dhe të krijojmë kushte për një iniciativë strategjike. Problemi i dytë serioz është që të përmirësojmë kualitetin e trajnimeve të personelit ushtarak, në mënyrë që të përdoren sa më mirë pajisjet dhe armët perëndimore.

Gjenerali i lartë amerikan, Christopher Cavoli, ka paralajmëruar ditë më parë se Ukraina nuk do të mund ta përballojë e vetme luftën kundër Rusisë, teksa një paketë masive e ndihmës amerikane vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Ndihma është bllokuar prej disa republikanëve konservatorë, të cilët besojnë se çështjet e brendshme në SHBA duhet të kenë prioritet.
Edhe presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky, ka paralajmëruar se pozicioni ushtarak i Ukrainës është duke u dobësuar për shkak të mungesës së municionit dhe armëve, sidomos ato për mbrojtje ajrore, për shkak të bllokimit të ndihmës amerikane. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi për të ndaluar sulmin, i ka vendosur Rusisë sanksione të forta në mënyrë që të godasë ekonominë. Si pasojë e luftës më shumë se 2-vjeçare kanë ndërruar jetë mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL