Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha largoi nga puna dy drejtues lokalë, pasi kanë marrë pjesë në fushatë zgjedhore gjatë orarit të punës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, të larguarit nga puna janë Gent Halilaj me detyrë “Drejtor në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit” në Kukës  dhe Luiza Qipo me detyrë, “Përgjegjëse e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore” Ersekë.

Kjo masë disiplinore e ministres Kërtusha është në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës.

Prej ditësh, ministrat teknikë të Partisë Demokratike kanë larguar nga puna disa drejtorë institucionesh që janë përfshire në fushatë në kundërshtim me ligjin.

Tv Klan