Massimiliano Allegri gjithnjë e më larg Juventusit. Barazimi pa gola në derbin me Torinon ka lëkundur pozitat e teknikut, me mediat italiane që janë të sigurtë për një largim në fund të sezonit.

Me vetëm dy fitore në 11 ndeshjet e fundit të Serie A, Juventus mbetet në vendin e tretë me 63 pikë, por ajo që nuk bind është loja e skuadrës. Kontrata e Allegrit në “Allianz Stadium” skadon në qershor 2025, gjithsesi, e ardhmja në Torino është gjithnjë e më e pasigurt.

Duke iu referuar asaj që shkruhet në mediat italiane, Allegri do të ketë një takim kokë më kokë me drejtorin sportiv, Cristiano Giuntoli në fund të sezonit për të vendosur edhe fatin e tij. Kualifikimi në Champions League në fund të sezonit është objektivi real i Juventusit, që do të ishte një rikthim për ta pasi mungoi në Kompeticionet e UEFA-s të këtij edicioni.

Në barazimin ndaj Torinos, bardhezinjtë forcuar bilancin në derbi. Juventus nuk ka pësuar humbje në 18 ndeshjet e fundit kundër “demave” në kampionat, me 13 fitore e 5 barazime. Kjo është seria më e gjatë pa humbje për një ekip në derbin e Torinos në historinë e ligës italiane që nga viti i largët 1929/30.

Klan News