Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është zhvilluar këtë të hënë mbledhja e parë e Task Forcës Qendrore ndërinstitucionale kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, në cilësinë e drejtueses së Njësisë tha se qëllimi është nxjerrja e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis dhe trafikojnë e atë.

Në ndryshim nga qasjet e mëparshme strategjike dhe nga praktika e ndjekur nga organet e ligj-zbatimit, PKKK e orienton përpjekjen e institucioneve në fazat e hershme të ciklit të kultivimit të kanabisit. Identifikimi dhe sekuestrimi i aseteve të krijuara nga veprimtaritë kriminale është një tjetër kriter i rëndësishëm për të matur shkallën e suksesit në përballjen me fenomenin e kanabisit’’

, tha zv/ministrja Voda.

Duke iu referuar shifrave zv/ministrja tha se për vitin 2017 janë rreth 4 herë më pak bimë narkotike të kultivuara të asgjesuara në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Risia e këtij viti ndër të tjera është krijimi dhe implementimi në rrjetin informatik të Policisë së Shtetit i sistemit elektronik “Ueb-GIS”, nëpërmjet të cilit bëhet i mundur hedhja, administrimi dhe evidentimi të dhënave për rastet e kultivimit të bimëve narkotike në shkallë vendi. Tashmë është e qartë për të gjithë se ky prioritet i Qeverisë Rama nuk mund të realizohet pa angazhimin dhe mirëkoordinimin e të gjithë aktorëve shtetërore, përfaqësues të të cilëve jeni ju sot të ulur në këtë tryezë. Ne besojmë fort se nuk do të mungojë nga ana juaj ky angazhim institucional, duke garantuar plotësisht zbatimin e planit të masave të secilit institucion mbi bazën e indikatorëve të PKKK-së dhe brenda afateve të përcaktura”,

apeloi Voda.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Brendshme, nga Janari 2017 deri sot janë asgjësuar rreth 23.700 bimë narkotike, pjesë e 70 procedimeve. Rreth 10 mijë rrënjë kanabis janë asgjësuar që në fazën e mbjelljes në kubik. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë proceduar penalisht 158 autorë më shumë./tvklan.al