Më shumë se 135 persona, një pjesë e të cilëve janë fëmijë, e kanë kaluar natën në qendrat sociale të Bashkisë Tiranë, ku veç strehimit kanë marrë dhe ndihmën e nevojshme në ushqime dhe veshmbathje, duke i bërë kështu ballë të ftohtit të acartë që ka prekur edhe Tiranën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shërbeu sot mëngjesin për rreth 40 prej tyre të strehuar në qendrën sociale në Laprakë, ku ofrohet ndihmë për të gjithë të pastrehët që e kaluan natën në një ambient të ngrohtë. Veliaj falenderoi shërbimet sociale, por edhe të gjithë ata qytetarë dhe biznese që i janë përgjigjur thirrjes për t’i ardhur në ndihmë individëve që në këto ditë të ftohta janë në nevojë.

“Ka qenë një punë e admirueshme nga të gjithë qytetarët. Unë besoj se Tirana nuk është qyteti më i mirë se ka më shumë para apo ka më shumë infrastrukturë, por sepse ka më shumë solidaritet. Ndaj dua të falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar me veshmbathje, qytetarë të thjeshtë që kanë trokitur te dera e fqinjit për t’u siguruar që fqinji i moshuar është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk ka pasur probleme gjatë natës. Dua t’i falenderoj me gjithë zemër, ky është padyshim qyteti më solidar”

, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore që kanë bërë të mundur që këtë emergjencë deri më tani ta përballojnë me sukses. 

“E

vlerësoj faktin që kemi pasur zjarrfikësen në dispozicion dhe në gatishmëri absolute. Gjatë natës kemi pasur disa raste hipotermie, kryesisht qytetare të moshuara që jetojnë vetëm, por falë ndërhyrjes së komshinjve, kanë shpëtuar jetë njerëzish. Besoj që të gjithë bashkë në Tiranë, me këtë lloj solidariteti, kemi shpëtuar 135 jetë njerëzish, që sot strehohen në qendrat tona sociale, por që deri dje ishin në gjendje të pastrehë, në situatë rruge”

, shtoi Veliaj.

Veliaj sherben mengjesin ne Qendren Sociale ne Laprake per 40 persona 5

Kryetari i Bashkisë kërkoi edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve, sidomos atyre që kanë familjarë në gjendje rruge, që në këto ditë të ftohta të tregohen më njerëzor dhe t’i ndihmojnë për të shmangur çdo fatkeqësi, pasi nata e sotme parashikohet që të jetë edhe më e ftohtë. 

“Shumica prej atyre me të cilët ndava mëngjesin sot, i kanë familjet e tyre, e kanë një të afërm, por për një arsye të çfarëdoshme të tranzicionit të këtyre viteve janë ndarë nga familjet e tyre. Ndaj, u bëj ftesë familjeve që të rrinë pranë, sidomos në kohë të tilla të vështira. Sot temperaturat do të ulen më shumë, nga -7 që ishin natën e kaluar, do të shkojnë në -14. Do të thotë që më e vështira është ajo që vjen, jo ajo që kaloi, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të kenë kujdes për fqinjët, sidomos për ata që janë të moshuar, të kenë kujdes për fëmijët të mos i lënë jashtë sidomos gjatë orëve të mbrëmjes kur temperaturat do të jenë më të ulëta, të memorizojnë 0800 0888 numrin e bashkisë, dhe 112 numri i të gjithë emergjencave”

, theksoi kryebashkiaku. 

Veliaj i ka bërë thirrje po ashtu edhe atyre bizneseve që kanë mundësi të ndihmojnë, të shkojnë pranë qendrave sociale të Bashkisë Tiranë dhe të ofrojnë ç’të munden për personat e strehuar në to. Ai shtoi se Bashkia ka rritur numrin e qendrave pritëse nga 4 në 7, ndërsa është e përgatitur që të përballojë çdo fluks që mund të vij./tvklan.al