“E kaluara e harruar e Fredi Belerit – Kur u arrestua në kufi me kallashnikov”. Me këtë titull e nis një artikull redaksional gazeta e njohur greke “Ta Nea”, kushtuar kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht kandidat i Partisë Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis për në Parlamentin Europian.

Një histori e vjetër, ndoshta për shumicën e opinionit grek e harruar, por që në mediat e vendit fqinj u rikthye në lajm pas ankesës së ish-ministrit të Arsimit, Nikos Fili, i cili i kërkoi publikisht pak ditë më parë kryeministrit Kyriakos Mitsotakis që të përjashtojnë kandidaturën e Fredi Belerit nga lista për eurodeputet i propozuar nga Demokracia e Re.

Bëhet fjalë ngjarjen e 19 Marsit të vitit 1995 ku Fredi Beleri, bashkë me 6 persona të tjerë u arrestuan pranë kufirit me Shqipërinë. Në bagazhet e dy makinave të tyre ata mbanin nëntë kallashnikovë, dy pistoleta, bajoneta, radio, uniforma kamuflazhi dhe kapuç.

Gazeta “Ta Nea” duke iu referuar edhe dëshmive të kohës thekson se “nuk kishte dyshim se të arrestuarit po planifikonin të sulmonin një objektiv ushtarak në Shqipëri që ishte në një distancë të shkurtër nga kufiri”.

Madje jo vetëm kaq pasi e përditshmja greke duke iu referuar të njëjtave dëshmi thekson se në atë kohë u zbulua se ishte afërsisht i njëjti grup, ose të paktën disa nga anëtarët e tij ishin të njëjtë me ata që kishin sulmuar repartin e Peshkëpisë.

Nisur pikërisht nga kjo e shkuar e errët, “Ta Nea” shkruan se kandidatura e Belerit do t’i bëjë më shumë dëm sesa mirë listës së kryeministrit Mitsotakis.

Tv Klan