Në këtë takim ministri i Jashtëm shoqërohej nga ambasadorja Majlinda Frangaj

Në vigjilje të Javës së Shenjtë të Pashkëve Katolike, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani zhvilloi një vizitë zyrtare në Vatikan ku u prit edhe nga Papa Françesku në një takim të pazakontë të tij me një ministër të Jashtëm.

Në takimin e përzemert ku shoqërohej edhe nga ambsadorja e Shqipërisë në Vatikan znj.Majlinda Frangaj, ministri Hasani falenderoi Atin e Shenjtë për vëmendjen e veçantë të tij ndaj shqiptarëve.

Më pas Ministri Hasani u takua me Sekretarin e Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, kryepeshkopin Paul Richard Gallagher.

Ministri Hasani theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin shkojnë përtej marrëdhënieve institucionale, pasi ato janë shpirtërore dhe frymëzim për shqiptarët.

Në konferencën “Dialogu dhe Vëllazëria Fetare për Paqe”, organizuar nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj, ministri u shpreh se në një botë të karakterizuar nga konflikte, përvoja e Shqipërisë tregon se dialogu dhe vëllazëria fetare janë elementët thelbësorë për të garantuar paqen.

“Shqipëria është një dëshmi e gjallë e fuqisë transformuese të këtyre elementeve, ofron një shembull unik në këtë kontekst. Nëpërmjet përpjekjeve të tyre të përbashkëta, shqiptarët kanë treguar se uniteti në diversitet është jo vetëm i arritshëm, por thelbësor për ndërtimin e një shoqërie më paqësore dhe harmonike.”

Sipas kryediplomatit Hasani, Shqipëria ka luajtur gjithashtu një rol konstruktiv në kontekstin ndërkombëtar, duke promovuar dialogun ndërfetar dhe paqen në nivel rajonal dhe global.

“Angazhimi i Shqipërisë ndaj dialogut dhe vëllazërisë fetare ofron shpresë për një të ardhme paqësore, të karakterizuar nga bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe respekti reciprok. Qasja e saj gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese mund të jetë një model frymëzues për shoqëritë e tjera që përballen me sfida të ngjashme, duke theksuar potencialin transformues të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit ndërfetar në promovimin e paqes dhe stabilitetit.”

Vizita e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në Vatikan vjen në 10-vjetorin e vizitës apostolike të Papa Françeskut në Shqipëri dhe në 5-vjetorin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe Bashkëjetesën ndërmjet njerëzve.

Klan News