Avokati Popullit

Me urdhër të Ministrit Shkëlqim Cani, Ministria e Financave do t’u mbajë punonjësve të saj, nga pagat, faturat e prapambetura të energjisë elektrike.

Urdhëri mban datën 4 nëntor dhe vjen në mbështetje të vendimit të Taks Forcës për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve.

Ai i detyron punonjësit që të paraqesin informacion të saktë mbi kontratat e energjisë, pavarësisht se kontratat mund të jenë në emër të familjarëve të tyre, përndryshe ndaj tyre do të merren masa disiplinore.

Nëse një punonjës nuk i shlyen faturat, në udhërin e firmosur nga Ministri Cani thuhet se ai jo vetëm do të penalizohet, por nëpërmjet zyrave të përmbarimit, Njësia e Financës dhe Njësia e Burimeve Njerëzore në Ministri apo institucionet e vartësisë, konform parashikimeve të ligjeve në fuqi, bashkëpunojnë me përmbaruesit për t’i siguruar të dhënat përkatëse punonjësit, në mënyrë që të bëhet i mundur ekzekutimi i detyrimit nëpërmjet sekuestirmit të pagës, duke respektuar nivelin e minimumit jetik.

Por për zyrën e Avokatit të Popullit, një vendim i tillë është i paligjshëm. Etilda Gjonaj, komisionere pranë këtij institucioni, teksa thotë se një urdhër i tillë është dhënë edhe nga disa Ministri të tjera, shpjegon se kjo procedurë është në kundërshtim me ligjin për Administratën Publike dhe se çështja e mospagesës së energjisë elektike është një marrëdhenie kontraktuale mes kopmanisë dhe konsumatorit.

Komisionerja shpjegon gjithashtu se sekuestrimet për detyrimet e prapambetura mund të bëhen nga përmbarimi vetëm me vendim gjykate.

Institucioni i avokatit të popullit bën të ditur se ka nisur një hetim administrativ për këtë çështje dhe se do të dalë në një konkluzion përfudimtar lidhur me ligjshmërinë e urdhërit të lëshuar nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani.

Në dokumentin me 11 pika Ministria e Financave angazhohet për t’i ofruar punonjësit debitor pagesë me këste apo edhe kredi nëpërmjet bankave të nivelit të dytë.

Tv Klan