Qeveria do të ndërmarrë disa ndryshime në Kodin Penal në mënyrë që të parandalojë posedimin e armëve në mënyrë të paligjshme. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se do të merren masa për të kriminalizuar trafikimin e armëve përmes kolive postare apo posedimin e pajisjeve që mundësojnë printimin 3D të armëve. Çuçi tha se qeveria miratoi planin e veprimit për vitin 2022-2024 që sipas tij është një strategji gjithpërfshirëse që synon të parandalojë posedimin e armëve në mënyrë të paligjshme.

“Sot u miratua në qeveri plani i veprimit për vitin 2022-2024 për zbatimin e strategjisë për kontrollin e armëve të lehta, të vogla, eksplozive dhe municioneve. Siguria mbetet prioritet i qeverisë dhe kryerja e krimeve me armë zjarri është shqetësims jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Ky plan parashikon që të parandalojë posedimin e armëve pa leje në duart e civilëve, synon parandalimin dhe kontrollin e trafikut të armëve të lehta dhe të forta dhe synon disiplinim të fortë të licencimit të përdorimit të armëve luftarake dhe të gjahut si dhe disiplinimin e forcave private të sigurisë. Janë parashikuar shumë masa, që kanë të bëjnë edhe me fenomene të reja që kanë lindur në botë. Kemi parashikuar që të bëjmë disa ndryshime në Kodin Penal dhe të kriminalizojmë disa figura të reja që kanë të bëjnë me krimin siç është ajo e trafikimit përmes kolive postare, apo kemi kriminalizuar posedimin e pajisjeve që mundësojnë printimin 3D të armëve”, tha Çuçi./tvklan.al