Konferenca e Kryetarëve nuk ka miratuar kërkesën e Grupit Parlamentar të PD, për të zhvilluar në Parlament një mocion me debat rreth problematikës së prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Shqipëri.

Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi sqaroi pse mazhoranca refuzoi të miratonte kërkesën e opozitës.

Bledi Çuçi, kryetar i Grupit Parlamentar PS: Mendojmë që duke parë edhe kërkesën e tyre, të gjitha çështjet që kanë nënshtruar në kërkesën e tyre, janë çështje tashmë të ezauruara qoftë sa i takon vendimeve të gjykatave që janë marrë me çështje konkrete që parashtrojnë në kërkesë, qoftë edhe diskutimeve parlamentare ku ka pasur edhe një komision të posaçëm hetimor për këtë çështje. Kështu që kjo çështje quhet e ezauruar.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi tha se PD do i qëndrojë kërkesë së saj për të zhvilluar mocionin me debat, teksa nuk i kurseu ironitë dhe akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar PD: Kur bëhet fjalë për drogë qytetarëve iu shkon në mendje vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, e për këtë arsye edhe kolegëve menjëherë iu shkon mendja te Olsi Rama dhe kur bëhet fjalë për Olsi Ramën janë të vendosur të shkrijnë Kuvendin e Shqipërisë, Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pa dyshim që ne do t’i qëndrojmë mocionit që kemi paraqitur, është e drejtë e deputetëve të opozitës.

Bardhi theksoi se opozita do të përdorë çdo mekanizëm ligjor për të zhvilluar mocione me debate për çështje të cilat konsiderohen problematike për vendin.

Klan News