Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka ftuar për një darkë pune në Bruksel, gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Para kësaj darke, Mogherini ka takuar ndaras kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe mandatarin për qeverinë e re të Maqedonisë.

Dy prej kryeministrave, ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe i Serbisë Aleksandar Vuçiç, janë në largim e sipër, ndërsa nga Maqedonia në takim është ftuar lideri socialdemokrat, Zoran Zaev në cilësinë e mandatarit për kryeministër të ardhshëm të këtij vendi.

Pas takimit me Mogherinin, kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa tha se kishte shprehur përkushtimin e Kosovës për perspektivën evropiane.

Mbesim të përkushtuar për bashkëpunimin regjional dhe për avancimin e raporteve tona me vendet e Ballkanit Perëndimor

”, tha Mustafa.

Me këtë rast unë ndava qëndrimin që e përfaqësoj tani në krye të LDK-së, se ne do të mbesim të përkushtuar në këto procese dhe se kandidati ynë për kryeministër, po ashtu, mbetet i përkushtuar që këto procese t’i çojë përpara me Bashkimin Evropian

”, theksoi Mustafa.

Sipas Mustafës, Kosova nuk ka rrugë tjetër, përveç angazhimit që qytetarëve t’iu sigurohet liberalizimi i vizave dhe zbatimi i marrëveshjet ndërkombëtare që ka arritur Kosova.

Ndërkohë, kryeministri në largim i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndryshe presidenti i ardhshëm i këtij vendi, deklaroi se Beogradi luan një rol aktiv në proceset aktuale.

Jemi të përkushtuar të respektojmë Kushtetutën tonë dhe të mbesim fuqishëm në rrugën evropiane dhe t’i kemi interesat tona nacionale, të mbrojmë integritetin territorial si dhe vlerën më të lartë të një populli – e ajo është liria

”, tha Vuçiç.

Mogherini tha se i ka ftuar gjashtë kryeministrat, që janë në detyrë apo edhe të mandatuar, nga gjashtë vendet partnere të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar me ta për gjendjen aktuale në rajon, pastaj për të diskutuar se si ky rajon të ecë përpara dhe si mundet Bashkimi Evropian të forcojë perspektivën e normalizimit të raporteve dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

Para këtij takimi, Përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se duhet të rritet bashkëpunimi mes këtyre vendeve, e po ashtu edhe bashkëpunimi me Bashkimit Evropian. Po ashtu, u shpreh ajo, duhet konsoliduar atë që, ajo shpesh i referohet, si “fuqia transformuese e perspektivës së BE-së”, përkatësisht për qeverisjen e mirë, përfshirjen e shoqërisë civile dhe krijimin e një ekonomie dinamike.

Ballkani Perëndimor është me të vërtetë një rajon i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, kur bëhet fjalë për sigurinë, për forcimin e parandalimit të radikalizmit, ku kemi një bashkëpunim të fortë me to (vendet ballkanike). Për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, për forcimin e kufijve tanë

”, tha Mogherini.

Shefja e Politikës së jashtme të BE-së deklaroi po ashtu se jo vetëm nga ajo, por edhe nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, si dhe tre presidentët e institucioneve të BE-së, presidenti i Këshillit Donald Tusk, ai i Komisionit Jean-Claude Juncker dhe Parlamentit Antonio Tajani, ka angazhim të fortë për të punuar së bashku me të gjashtë vendet e Ballkanit.

Fuqia bindëse e BE-së i bën ata që të takohen këtu dhe i inkurajon për të punuar së bashku për mirëqenien e përbashkët dhe të rajonit në vete

”, deklaroi Mogherini.

I kemi parë zhvillimet e fundit, vështirësitë por dhe disa hapa inkurajues dhe është mirë gjithmonë që të takohemi për të diskutuar të gjithë së bashku për hapat që mund të ndërmarrim për të ardhmen për të ndërtuar një rajon me një nivel më të mirë mirëkuptimi dhe se si mund të ecim së bashku në rrugën evropiane

”, tha Mogherini në prag të takimit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky takim ka për qëllim edhe përgatitjen e Samitit për Ballkanin Perëndimore që do të zhvillohet në Trieste të Italisë në fillim të muajt korrik./REL