Përgjigjia për “Kathimerini”: Raportet me Greqinë në nivel shumë të mirë, pjesë e ceremonisë zyrtare të ambasadës

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë hedh poshtë pretendimet e medias greke se nuk ka patur një ftesë për ministrin, Nikos Dendias në ceremoninë e inaugurimit të bazës taktike të NATO-s në Kuçovë.

Në një sqarim të saj, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se ftesa i është dërguar që më 29 Janar ministrit Dendias, por në një përgjigje të dërguar më 14 Shkurt, Ministria e Mbrojtjes e Greqisë bën me dije se për shkak të angazhimeve ai nuk mund të jetë i pranishëm.

Kjo është edhe ftesa e Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi drejtuar homologut Dendias për të qenë i pranishëm më 4 Mars. Në sqarimin e saj, kjo ministri shprehet se në ceremoni pati përfaqësi të palës greke.

“Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel shumë të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s. Jemi mirënjohës ndaj Greqisë (dhe Italisë) që për vite me radhë kanë kryer Policimin Ajror për vendin tonë. Me të njëjtën qëllim, më 29 Janar, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri, që përkonte në të njëjtën kohë me ceremoninë e inagurimit të Bazës Taktike Ajrore të Kuçovës. Më 14 Shkurt, morëm përgjigjen se për shkak të angazhimeve të paracaktuara, Ministri i Mbrojtjes Dendias nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë e 4 Marsit. Në vend të tij, zyrtarë të lartë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë morën pjesë në këtë ceremoni”.

Ministria e Mbrojtjes shpreh keqardhjen për lajmet e medias greke, të cilat sipas saj nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike.

Në një artikull të saj, gazeta e njohur “Kathimerini”, shkruante se ndërsa Roma ishte e përfaqësuar në një nivel të lartë, Athina nuk mori një ftesë, pavarësisht se merr pjesë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë, ashtu si Italia. Po ashtu kjo media e ka cilësuar këtë si “tregues të kthesës që kanë marrë marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, për shkak të dënimit të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri”.

Klan News