Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA, ka publikuar imazhet e reve të tymit dhe zjarreve të mëdha që kanë përfshirë Ballkanin këto ditë të nxehta Korriku.

Të shënuara me të kuqe janë zjarret e mëdha që kanë përshirë pyjet e shumta në brigjet kroate dhe malazeze, teksa nga hapësira duken qartë edhe retë e tymit mbi Detin Adriatik.

Agjencia amerikane shpjegon se zjarret dhe tymi që duken në pjesën e sipërme po djegin territore të mëdha afër Benkovacit dhe Liqenit Vrana në Kroaci.

Reja e tymit në qendër të fotos ka dalë nga zjarret rreth Srinjenes, afër qytetit bregdetar të Splitit, po në Kroaci.

Ndërsa, reja e tymit në pjesën e poshtme të fotos është nga zjarret që po djegin pyje në jug të Tivatit dhe Gjirit të Kotorrit në Malin e Zi.

Pavarësisht se në fokus të satelitit “Aqua” të NASA-s kanë qenë zjarret e paprecedentë në Kroaci dhe Mal të Zi, amerikanët kanë shënuar me të kuqe edhe një zonë në Qarkun e Shkodrës, e cila është përfshirë nga zjarri.  

 Zjarret në Mal të Zi kanë detyruar Podgoricën të kërkojë ndihmë nga fqinjët e Kroacisë, të cilët po përballen vetë me situatë të jashtëzakonshme.

Zjarret kanë vazhduar përgjatë brigjeve të Adriatikut prej ditësh, duke detyruar dhjetëra turistë dhe rezidentë në Malin e Zi të braktisin shtëpitë.

Një qendër tregtarë në Split të Kroacisë po ashtu është evakuuar, ndër ministrat kroatë janë nisur drejt vendngjarjes për një takim urgjent.

Ndërkohë, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitarevic ndërpreu vizitën e saj në Austri për shkak të situatës së jashtëzakonshme.

Erërat që fryjnë nga veriu dhe temperaturat shumë të larta e bëjnë situatën e zjarreve në ballkan edhe më të rëndë./tvklan.al