Një ndeshje miqësore mes Teutës dhe Austrias së Vjenës po hetohet nga drejtësia shqiptare.

Kërkesa është bërë nga autoritet austriake që duan që të marren në pyetje disa persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në përcaktimin e rezultatit.

Skuadra durrsake u mund me rezultatin e thellë 7 – 2 në sfidën e luajtur më 21 qershor të vitit të kaluar në Austri. Në letërporosinë e autoriteteve austriake thuhet se është rënë dakord për të përcaktuar rezultatin e takimit për të përfituar të ardhura nga bastet.

Dyshimet janë ngritur edhe nga agjencia Sportradar, që mbikëqyr kuotat dhe shumat e vendosura në evente sportive. Mediat austriake në atë kohë lajmëruan se policia shkoi në hotelin ku ndodhej skuadra durrsake, duke ushtuar kontrolle dhe pyetur disa lojtarë e zyrtarë.

Në letërporosinë e autoriteteve austriake sqarohet se të dyshuarit u larguan para se të vlerësohej telefoni i njërit prej tyre që të ballafaqohej me provat e mbledhura. Pritet që të dyshuarit të merren në pyetje nga Prokuroria e Tiranës./Tv Klan