Raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS mund të dërgohen në Ukrainë brenda javësh, kështu ka bërë të ditur Mark Ëarner, kreu i Komitetit të zbulimit të Senatit.

Ndihma e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve ka të ngjarë të përfshijë gjithashtu edhe sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa me rreze të mesme veprimi dhe predha artilerie. Paketa tani do të shkojë në senatin amerikan, i cili pritet ta kalojë brenda ditëve të ardhshme përpara se presidenti Joe Biden ta nënshkruajë atë në ligj.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy bëri thirrje për përpjekje për të reduktuar në minimum kohën midis vendimeve politike për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën.

“Koha midis vendimeve politike dhe shkaktimit të disfatave reale ndaj armikut në front, midis miratimit të paketës së ndihmës dhe mbërritjes së ndihmës për djemtë tanë kjo duhet të reduktohet në minimum. Ne kemi nevojë për mbrojtje ajrore të vijës së parë po aq sa kemi nevojë në qytete dhe fshatra, aq sa kemi nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi, artileri dhe aftësi për të zgjeruar kontrollin tonë.”

Në një intervistë me “Meet the Press” të NBC, Zelenskiy u shpreh gjithashtu se miratimi i projektligjit po i dërgon një mesazh të fuqishëm Rusisë se Uashingtoni qëndron në krah të Kievit dhe se nuk do të ishte një Afganistan i dytë.

Presionin në rritje mes luftimeve intensive ndihet më shumë në mesin e ushtarëve. Pranë qytetit lindor Kupiansk ku forcat ruse po kryejnë sulme, ushtarët shprehen se miratimi i ndihmës do të shënojë një kthesë në fushën e betejës.

“Unë besoj se predhat do të mbërrijnë shpejt në vijën e parë. Ata do t’i dërgojnë në brigada që ne të mund të bëjmë punën tonë. Kur dronët, predhat e çfarëdo tjetër kur të mbërrijë ne do të bëjmë një kthesë 180 gradë.”

Ndërkaq në fushën e betejës, marina ukrainase ka goditur edhe një anije të flotës ruse në Detin e Zi. Marina ukrainase e goditi anijen e shpëtimit Kommuna në qytetin e madh të Krimesë, Sevastopol. Deri më tani Ukraina ka pretenduar se ka shkatërruar një të tretën e anijeve të marinës së Rusisë.

Klan News