Nga 1 Prilli nuk do të ketë më kthim mbrapa. Të gjithë bizneset, të cilët kryejnë xhiro deri në vlerën 2 milionë lekë do të jenë pjesë e zinxhirit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në total, 11 mijë e 300 ndërmarrje tashmë duhet të mbajnë librat e shitjes, ku do të shënojnë të ardhurat dhe shpenzimet, kasën fiskale dhe plotësimin e deklaratës së TVSH-së njëherë ne 3 muaj.

Drejtoria Tatimore thotë se nuk do të ketë ndryshim për asnjë nga bizneset në pagesat e reja që ata do të bëjnë, pasi ata nuk do të paguajnë TVSH-në, por vetëm do ta shtojnë te faturat që do të presin, pasi taksa ka si target konsumatorin.

Tatimet do të mbajnë në monitorim të gjitha ndërmarrjet, të cilat kërkojnë të bëjnë çregjistrimin e tyre ose pezullimin e aktivitetit për të shmangur përgjegjësinë tatimore ose futjen në skemën e TVSH-së. Javët e fundit është konstatuar një numër në rritje i bizneseve që kërkojnë mbylljen, e më pas regjistrimin e aktivitetit nga persona të lidhur me ta.

Tv Klan