Gjiganti gjerman i makinave, BMW, planifikon të hedhë në qarkullim makina që do të lëvizin në mënyrë krejt autonome prej shoferit brenda vitit 2021.

Kompania gjermane tha se synon të arrijë teknologjinë që i mundëson makinës të ecë vetë, duke e plotësuar atë me aftësi të nivelit të tretë, katërt dhe pestë të autonomisë nga shoferi.

Njoftimi u bë gjatë një konference të mbajtur në Berlin të enjten, raporton Reuters. Autonomia e nivelit të pestë do të thotë se makina kërkon zero ndërhyrje nga shoferi për të naviguar në rrugët e qytetit.

Niveli i tretë i autonomisë kërkon ende ndërhyrje nga shoferi në situata të caktuara. Ai duhet të qëndrojë i vëmendshëm dhe të ndërhyjë në momente të rreziku.

Ndërsa niveli katërt i autonomisë, është niveli i parë i autonomisë së plotë, çka do të thotë se makina mund ta ndërmarrë vetë një udhëtim të tërë – vetëm se jo në të gjitha situatat dhe ambientet e mundshme.

BMW bëhet e para kompani që synon të përfshirë nivelin e pestë të autonomisë brenda pak viteve të ardhshme. Shuma marka të tjera, përfshirë edhe Ford-in synojnë të kalojnë në nivelet e tretë dhe katërt deri në vitin 2021.

Kjo e bën synimin e BMW-së shumë ambicioz. Por, kompania gjermane po bashkëpunon me Intel-in, kompani e cila sapo ka arritur të krijojë teknologjinë e nevojshme që do të çojë në këtë arritje të madhe./tvklan.al