Qeveria ka nisur procesin e kontrollit të 30 mijë parcelave në zonat bregdetare me rëndësi strategjike, por eleminimi i Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi do t’i hiqet pronarëve që e kanë marrë në mënyrë abuzive dhe nuk e kanë e shitur pasurinë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Artan Lame, kryetar i bordit të Hipotekës, tha se për rastet ku toka është shitur, atëherë ligji mbron investitorin apo palën e cila e ka blerë dhe regjistruar pronën në mirëbesim.

Artan Lame ndau me gazetarët edhe disa të dhëna lidhur me tokën bujqësore të shitur te një investitor nga ana e deputetit socialist Alket Hyseni. Kreu i bordit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive tha se pasuria e cila ka hapur debat politik, është pjesë e verifikimit nga Task-Forca, pasi ndodhet në vijën e kontrollit të këtyre zonave.

Janë 200 kilometra katrorë vijë bregedtare që do të futen në sitën e verifikimit. Artan Lame tha se në disa raste zonat ku është abuzuar dallohen me sy të lirë.

Që nga Velipoja e deri në Sarandë, shumë pasuri kombëtare kanë rënë pre e abuzimeve. Shumica e tyre, sqaroi Lame, ose janë tokë jo bujqësore që i takon shtetit ose ish-pronarëve. Task-Forca është duke kontrolluar disa abuzime në Durrës dhe Sarandë, ndërsa në Vlorë janë 450 prona që nuk rezultojnë në hartë por që nga viti 2008 kanë filluar të hidhen në sistem si regjistrime të veçanta.

Tv Klan