Të ftuar:

Edi Rama,

Baton Haxhiu,

Henri Çili,

Artan Hoxha,

Armand Shkullaku

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar një koalicion të mundshëm mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

I pyetur për një koalicion të mundshëm me PD, shefi i qeverisë tha se çdo skenar tjetër është i hapur.

Me LSI unë e përjashtoj koalicionin. Çdo skenar për mua është i hapur në varësi të vendimmarrjes së popullit. PS-LSI nuk ka”

, u shpreh Kryeministri.

Sa i përket përplasjeve me LSI, Rama sqaroi se nuk ka asnjë konflikt por kërkon që të rrëzojë sistemin aktual të administratës.

Unë nuk kam hapur asnjë konflikt me LSI. Thjesht kam hapur një temë që është themelore në rrugën e shtetbërjes. Tema është që në këto vite në Shqipëri është zhvilluar një sistem kanceroz brenda administratës së shtetit dhe partitë e vogla ose gjysëm të vogla jetojnë në këtë sistem, ndërsa partitë e mëdha janë infektuar nga kjo. Këtë sistem nuk e rrëzon dot asnjë Kryeministër”

, tha Edi Rama.

Përballë gazetarëve, Kryeministri Edi Rama foli edhe për situatën ekonomike në vend. Edhe pse gazetarët e kanë pyetur disa herë lidhur me borxhin e shtetit, Rama u është shmangur përgjigjeve.

“Sot borxhi është 69.8% dhe projeksioni i rënies së borxhit është i parashikuar për 5 vitet e ardhshme. E dyta, ne patëm një borxh të fshehur 720 milionë Dollarë.  Asnjë parti politike në botë nuk mund të realizojë 100%. Ne kemi bërë në këto 44 muaj ato reformat që s’i ka bërë asnjeri në çerekshekulli. E dyta, sot Shqipëria ka stabilitet të plotë financiar”

, tha Kryeministri Rama. 

Moderatori i “Opinion” Blendi Fevziu nxorri një tabelë me premtimet e Ramës në vitin 2013, për të cilat tha se kanë dështuar të gjitha në realizimin e tyre. Në përgjigjen e tij, Kryeministri Rama tha me humor “jam i dështuar”.

Diskutimi u fokusua edhe tek projekti i Qeverisë “Rilindja Urbane”, që ka të bëjë me investimet në të gjitha qytetet.

Gazetari Armand Shkullaku replikoi me Kryeministrin Edi Rama për këtë çështje, duke thënë se është dakord me investimet në qendrat e qyteteve, por “Rilindja Urbane” nuk shton buxhetin.

Shefi i qeverisë përmendi se në të gjitha qendrat evropiane, investimet në qytete janë të rëndësishme dhe vlerësohen nga njerëzit.

“Unë nuk i ndahem kësaj pune, edhe mënyra si flasin këta është deformim. Kur dalin jashtë i pëlqejnë, këtu s’i duan”,

tha Rama.

Kryeministri Edi Rama është përballur sot me një sërë pyetjesh nga gazetarët në emisionin “Opinion”. Debati  ka nisur në fushën e ekonomisë, ku edhe kryeministri Rama është përpjekur disa herë të dal jashtë pyetjeve që gazetarët kanë drejtuar për rritjen e borxhit dhe për investimet e huaja në Shqipëri.

Kryeministri Rama duket se nuk i ka mirëpritur këto konstatime nga gazetarët dhe u është kthyer kështu: O Fevzi e di si është kjo punë, është sikur të marrësh një libër fizike dhe ti bësh referencë librit, e të flasësh për një fizikant e ça do të thotë kjo? Ca të them unë ja pse libri thotë kështu”, është shprehur Rama duke ju shmangur pyetjeve të drejtpërdrejta të gazetarëve.

Sa i përket çështjes së kanabisit, Kryeministri Edi Rama theksoi se vetëm sipërfaqja e Lazaratit si prodhim ka qenë më i madh se sa është kultivuar gjithë vitin e kaluar.

“Guarda Di Finanza fotografimet i ka pas në 2013. Lazarati si sipërfaqe, si mbjellje, si hektar është më i madh se sa është mbjellë vitin e kaluar. 90% e kapjeve të policisë janë bashkëpunim me policinë. Luftën kundër këtij fenomeni që e kemi filluar ne dhe lufta ka një fazë që t’i shkon përpara, ka një fazë tjetër”

, deklaroi Rama. 

Në lidhje me standardin e arritur në arsim, kryeministri Edi Rama është shprehur sonte në “Opinion” se ka marrë fund koncepti se publiku është i nënës dhe privati i njerkës. Rama ka lënë të kuptojë se reforma në arsim ka sjellë një rregullator të rëndësishëm për arsimin privat. Rama theksoi se fëmijët shqiptar shkojnë në arsim të lartë në Shqipëri dhe duhet të marrin të njëjta standardet, si tek publiku dhe si tek privati. Rama tha unë mendoj se ka arsim publik që financohet nga shteti dhe arsim privat që financohet nga privati.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka rrëfyer prapaskenat e marrëveshjes së 17 majit me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Përgjatë një deklarate të bërë sonte në emisionin “Opinion”, deklaroi nëse Basha nuk do pranonte të hynte në zgjedhje, pas orës 12 të natës do të dilte DASH me një deklaratë të ngjashme me atë të Komisionit Europian.

 “

Nëse Basha nuk do të pranonte të hyne në zgjedhje, pas orës 12 të natës do të dilte nga DASH një deklaratë simetrike me atë të KE. Unë po të ishte kështu si thonë këta, që dua të dhunoj votën e lirë, etj, do kisha hyrë në zgjedhje pa opozitën

”, tha Rama.

Për kryeministrin Rama, kjo marrëveshje tregoi se ai nuk e do të gjithë pushtetin për vete.

Analisti Henri Çili, sonte, ka refuzuar të flasë troç se për cilin nga subjektet politike do votojë me 25 qershor, por megjithatë ka lënë të kuptojë se vota e tij do jetë për PS-në.

Çili theksoi se vota nuk deklarohet, gjithsesi tha se ka dhënë një mbështetje publike për vazhdimin e mandatit të dytë të Ramës, për vazhdimin e ciklit reformist.

 “Vota nuk deklarohet por unë personalisht e kam bërë mbështetjen publike për mandatin e dytë të Ramës, për vazhdimin e ciklit reformist dhe një vendimmarrje të përqëndruar, në dorën e një partie politike. Rreziku autoritarist u shmang dhe duhet të ecim përpara”.