Të ftuar:

Gentian Zenelaj,

Renato Mekolli,

Fundim Gjepali,

Iva Tiço,

Julian Zguro,

Erald Maçi,

Olesia Leco,

Iva Mera

Emisioni Opinion në TV Klan, mbrëmjen e sotme, ka si temë tryezën e festave. Në lidhje me këtë temë, aktori Gentian Zenelaj, ka theksuar se shqiptarët nuk duhet të trajtohen si francezë. Sipas tij, ne kemi traditat tona të ushqyerjes, por edhe të shijeve dhe estetikës së përdorur në tryezë. “Këto gjashtë lugë, gjashtë pirunj, nuk kanë qenë traditë në Shqipëri, ne duhet të tregohemi të sinqertë. Dhe që të hyjë kjo traditë që po thoni ju, do kohë dhe kulturë”, theksoi Zenelaj.

Duke folur për atmosferën dhe përgatitjen e tryezës së festave, ai me humor ka kujtuar kohën e disa viteve më parë, kur familjet shqiptare mezi siguronin produktet për të bërë ëmbëlsirën tradicionale bakllavanë. Genti ka thënë se atëherë kur nuk kishim arra për të bërë ëmbëlsirën përdornim biskota. “Bakllava haje një herë në vit në atë kohë, besoj shumë njerëz e mbajnë mend, nganjëherë nga varfëria në vend të arrave i hidhnim edhe biskota të kapërdisura. Fakti që hanim ndonjë kallëp fshehurazi kjo na bënte shumë të lumtur, këtë e kujtoj si fëmijë, sepse edhe frutat atëherë  vinin njëherë në vit”, ka thënë Gentjan Zenelaj.

Nertila Shoraj nga “Sezon Dekor”, ka theksuar në Opinion, përsa i përket stilimit të pemës së Krishtlindjeve edhe ajo ka ndryshuar, si çdo gjë tjetër, për t’iu përshtatur tendencave më të reja të kohës.

Shoraj tha se pemët klasike me dekor të kuq, që kanë qenë gjithmonë, kanë kaluar në një plan tjetër, pasi familjarët që duan të dekorojnë ato, kanë dëshirën të bëjnë çdo vit ndryshime.

Ajo tregoi se ky vit ka pasur si preferencë masive dekorin e pemëve me ngjyrë të bardhë, arë dhe gold.

Sipas saj, kjo kërkesë nuk është vetëm për mjedise kolektive, si lokale dhe restorante por edhe për mjedise më intime siç është shtëpia.