universiteti

Një grup personash të armatosur sulmuan Universitetin Bacha Khan në veri – perëndim të Pakistanit. Të paktën 21 persona humbën jetën, kryesisht studentë dhe profesorë ndërsa 60 të tjerë u plagosën. Mes të vrarëve ishin dhe katër prej agresorëve.

Fillimisht, një prej komandantëve të talebanëve në Pakistan mori përsipër sulmin, që më pas u mohua nga zëdhënësi i grupit.

Të ndihmuar nga mjegulla, personat e armatosur u ngjitën në murin e pasëm të ndërtesës së Universitetit. Ofensiva e tyre nisi në orën 09:30 minuta me orën lokale, gjatë të cilës, sipas dëshmitarëve, u dëgjua dhe thirrja: “Allahu Ekber”.

Të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme u dëgjuan brenda Universitetit Bacha Khan në Charsadda, ku forcat e sigurisë pakistaneze u përballen me agresorët. Dëshmitarët nuk specifikuan nëse shpërthimet ishin të shkaktuara nga bomba apo kamikazë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se, universiteti, ku ishin ftuar 600 persona, pjesëmarrës të një konference, i ngritur në 2012, ndodhej në një zonë të hapur dhe ishte një shenjestër e lehtë për agresorët.

Nga detajat e para, spikat profesori i kimisë Sajed Hamid Husein, i cili dha jetën për të mbrojtur studentët, duke u bërë ballë agresorëve të armatosur me kallashnikovë, me pistoletën që mbante me vete.

Kryeministri i Pakistanit, Nauaz Sharif, përmes një deklarate shprehu vendosmërinë për ta zhdukur kërcënimin nga terrorizmi prej vendit të tij.

Tv Klan