EUROSTAT: Ulen lindshmëria dhe martesat

Pandemia e Covid-19 pati një ndikim thelbësor në demografinë e vendeve të Europës. Sipas EUROSTAT, jetëgjatësia u ul, fertiliteti pësoi rënie, po ashtu edhe martesat u ulën. Për këtë të fundit, në vendet e Europës u regjistruan vlerat më të ulta që nga viti 1964.

Këtij ndikimi nuk i ka shpëtuar as Shqipëria, e cila sipas EUROSTAT, ka numrin më të ulët mesatar të lindjeve nga një grua. Vlerat e fertilitetit në Shqipëri renditen në 1.31 lindje të gjalla për grua, nga 1.73 që ishte në 2014 dhe 1.37 në 2018.

Po ashtu, rritje ka pësuar edhe mosha e femrave për lindjen e parë. Sipas EUROSTAT, nga 25 vjeç që ishte lindja e parë për vajzat në 2013, pas pandemisë është rritur në mbi 27 vjeç. Megjithatë për këtë indikator, Shqipëria është më mirë se vendet e rajonit, si Serbia (28), Greqia (31) apo Italia (32 vjeç për lindjen e parë.)

Në Shqipëri, ulje pësuan edhe lindjet nga gratë dhe vajzat mbi 40 vjeç, krahasuar me periudhën para pandemisë.

Tv Klan