Votimi i djeshëm i Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen me 20 lekë të çmimit të ujit në Tiranë ka përplasur Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Lulzim Basha përmes një deklarate për mediat e cilësoi votimin si pazar të kryeministrit, ndërsa thotë se LSI e PDIU qe kontribuuan me vota, vazhdojnë të jenë vegla të Ramës.

“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI. Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja”,

deklaron Basha.

Në kundërpërgjigje, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi foli për blerje të dy këshilltarëve të LSI, e akuzoi Bashën për paaftësi në kohën kur drejtonte Bashkinë dhe përsa i përket raportit me kryeministrin, i kërkon të bëjë publike marrëveshjen që ai arriti me 18 maj.

“Sa për qëndrimin opozitar, zoti Basha harron shumë shpejt që ai dhe kryeministri ishin për javë të tëra xhelatët ndaj LSI. Me mbështetjen e tij dhe të bashkëpunëtorit të tij të afërt Edi Ramës, u persekutuan dhe pushuan nga puna me dhjetëra anëtarë dhe mbështetës të LSI. Ndaj të kërkosh sot të bësh opozitë kur ende nuk ke deklaruar qartë se me se u blenë votat e 25 qershorit është thjesht një lojë meskine për të fshehur të vërtetat e mëdha. LSI është e qartë dhe e vendosur në qëndrimin e saj kundër çdo përpjekje apo akti që dëmton qytetarët shqiptarë, pa asnjë kompromis apo pazar politik që gatuhet në zyrat e kryeministrit. Kështu që, është në nderin e PD të bashkohet me vullnetin tonë ose të mbetet peng i një marrëveshjeje të dyshimtë, shkatërruese e zgjedhjeve dhe e votës së shqiptarëve”

, thotë Kryemadhi.

Replikat mes kryetarëve të dy partive të opozitës nisën për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë. Por më shumë se për faturën e ujësjellësit, në deklaratat e tyre duket sikur Basha e Kryemadhi janë në garë për të treguar se kush qëndron më afër kryeministrit dhe kush e denoncon më fort atë, në një kohë kur edhe pse ka 1 muaj që flasin për opozitë të fortë ndaj kreut të ekzekutivit, vazhdojnë të mbajnë ministrat në kabinetin e tij. TV KLAN