Kombëtarja do të nisë zyrtarisht të hënën përgatitjet për miqësoret me Kilin dhe Suedinë. Kuqezinjtë pritet të jenë thuajse të gjithë në seancën e pasdites që do të zhvillohet në Shtëpinë e Futbollit.

Të martën dhe të mërkurën do të shtohet ritmi, duke zhvilluar dy stërvitje në ditë për të parë gjendjen lojtarëve të grumbulluar që janë kandidatë për skuadrën që do të marrë pjesë në Kampionatin Europian.

Trajneri Sylvinho ka në listë 26 lojtarë, ku risi është sulmuesi i krahut të majtë Arbër Hoxha. Trajneri riktheu në grup Armando Brojën dhe Rei Manajn, ndërsa la jashtë Mirlind Dakun e Arbnor Mujën.

Sfida e parë do të jetë ndaj Kilit më 22 Mars prej orës 20:45 në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmas, ndërsa 3 ditë më vonë do të luhet me Suedinë prej orës 19:00 në “Friends Arena” të Stokholmit.

Të dy këto takime do t’i ndiqni në TV Klan. Ato janë tepër të vlefshme për përgatitjet për finalet e Euro 2024, një turne që është ekskluzivitet i Telvizionit Klan për territorin e Shqipërisë me të 51 ndeshjet që do të transmetohen pa pagesë.

Tv Klan