Një vrasje e tipit mafioz ka ndodhur gjatë orëve të mbasdites në lagjen 5 të qytetit të Durrësit ose siç njihet ndryshe Unaza e qytetit.

Dy persona me motor kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Arian Saliu, i njohur si vëllai i Klodian Saliut, një prej kapove të bandës së Durrësit.

37-vjeçari është qëlluar me një armë të tipit pistoletë dhe është dërguar në spital, por pa mundur t’u mbijetojë plagëve.

Sipas dëshmitarëve okularë në momentin që është qëlluar Saliu ka qenë në makinë së bashku me shokun e tij, Denis Hoxha, i cili ka mbetur i plagosur.

Në momentin e krimit autorët kanë qenë të hipur në një motor dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sipas policisë shkak i krimit mund të jetë bërë larja e hesapeve mes grupeve rivale. 37-vjeçari kishte kohë që mbahej nën mbikëqyrje për shkak të rrezikshmërisë që paraqiste si person.

Vëllai i Arian Saliut, Klodian Saliu, ishte kapo i bandës së Durrësit dhe u ekzekutua më 26 Shkurt të vitit 2005, ndërsa vëllai tjetër i tyre Ndriçim Saliu, u vra në datën 23 Korrik 2007.

Mbi bandën e Durrësit rëndojnë dhe akuzat e rënda. Kjo bandë e ka nisur aktivitetin e saj në vitin 1998 e që prej asaj kohe përplasjet mes krerëve të saj, Klodian Saliut dhe Lul Berisha kanë qenë të shumta dhe tashmë dosja e kësaj bande ndodhet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka