Nuk kanë fund surpriza e kësaj finaleje magjike në “X Factor Albania 5” në Tv Klan.

Një nga momentet më speciale të kësaj mbrëmjeje ishte padyshim performanca surprizë e Alketa Vejsiut.

Siç nuk e kishim parë kurrë më parë, Alketa dhuroi një performancë energjike dhe shpërthyese, shoqëruar nga trupa e baletit, e drejtuar nga Adela Muçollari.

Ajo e çeli performancën e saj me “Po s’më puthe ti”. Kënga fituese e çmimit “Kënga hit” në “Kënga Magjike”, ka rezultuar të jetë me të vërtetë hit dhe kërcehet pas 20 vitesh ende në klube e festa.

Nga një super festë dinamike, performanca u ngrit në nivele botërore, me dy super këngë festive si “Dance Again” dhe “Dance on the floor” të Jlo.

Këtë mbrëmje, Alketa na erdhi si dikur energjike dhe me profil të plotë me një show dritash, duke kënduar, vallëzuar dhe dhuruar emocione. Veshur me një fustan vezullues me gurë, ajo ndriçoi skenën duke dhuruar energji dhe spektakël që ekzaltoi publikun./tvklan.al