presidenti-nishani-forumi-i-biznesit-shqiperi-slloveniBiznesmenëve sllovenë, Presidenti i Shqipërisë u foli me fjalët më të mira mbi përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, të kuadrit ligjor dhe reformimin e sistemit të drejtësisë.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Institucionet shqiptare, zyra e Presidentit të Republikës do të jetë një zë shumë i fuqishëm inkurajimi për investimet sllovene në Shqipëri por edhe në ato që kanë të bëjnë me projektet rajonale, ku Shqipëria është e interesuar dhe mbështetëse e tyre. Dëshiroj të garantoj dhe besoj se shpreh këtu dhe vullnetin e padiskutueshëm të qeverisë shqiptare, e cila është e angazhuar dhe e interesuar për të patur këtë prezencë, për të inkurajuar këtë zhvillim”.

Dhe tregu shqiptar ofron mundësi të shumta për investimet sllovene.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Tregu shqiptar, ofron mundësi të shumta, ku përfshihen, energjitika, sistemi bankar, infrastuktura, turizmi, ndërtimtaria, njëkohësisht po merr përmasa gjithnjë e më të mëdhaja, investimi edhë në fushën e produkteve bujqësore. Edhe viti që po mbyllet përsëri po rezulton me një rritje ekonomike. Natyrisht për shkak të situatës në rajon dhe vendeve përreth nesh, nuk është më ajo rritje ekonomike që kishim para disa vitesh, 5 apo 6 përqind, por mbetet Shqipëria me një rritje ekonomike. Sistemi bankar në Shqipëri është një sistem likuid, është një sistem stabël, i cili nuk ka pasur asnjë rrisk”.

Në forumin e biznesit shqiptaro-slloven, Presidenti Nishani dhe homologu i tij Borut Pahor theksuan se potencialet e përbashkëta ekonomike ende nuk po shfrytëzohen siç duhet.

Bujar Nishani – President i Republikës: “Nuk e justifikon nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike që ekzistojnë midis dy vendeve tona”.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi si të domosdoshme për ekonominë rajonale projektet e mëdha si Trans Adriatic Pipeline (TAP) dhe Korridorin Adriatiko-Jonian.

Samiti i kryeministrave në Berlin, që pasoi dhe atë të presidentëve në Bërdo, shënuan pikë kthese, sipas Nishanit në avancimin e projekteve të ndryshme me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Pjesë e axhendës së vizitës së Presidentit Nishani në Slloveni, ishte edhe mbajtja e një leksioni të hapur në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Ljubljanës, me temë “Shqipëria, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian”.

Duke theksuar rolin historik të vendit tonë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, kreu i shtetit edhe një herë theksoi se incidenti në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri në Beograd, nxori në dritë problematika të së kaluarës, për tejkalimin e të cilave do të kërkohet shumë përpjekje nga klasa politike, për të parë me besim nga e ardhmja në Europën e Bashkuar.

Bujar Nishani- President i Republikës:“Por, do të ishte naive të besojmë se vetëm dialogu mjafton.  Është e dukshme se duhet mbjellë mirëbesimi, i cili paraprihet nga njohja me njëri-tjetrin. Mosha e re e koreve raciste në stadiumin e Beogradit na tërheq vëmendjen se sa i rëndësishëm është ndërtimi i korridoreve të komunikimit njerëzor, veçanërisht ndërmjet të rinjve, në nivel rajonal, evropian e më gjerë.”

Presidenti Nishani theksoi edhe rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, ndërsa vlerësoi si të rëndësishme të gjitha nismat dhe projektet rajonale që nxisin akoma edhe më shumë përshpejtimin e procesit të integrimti në BE.

Tv Klan