Ministria e Shëndetësisë ka bërë gati një projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” që ka si qëllim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të individëve. Sipas projektligjit ndërprerja e shtatzënisë kryhet në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose jo publik që plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj.

Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda 14 javëve të para të shtatzënisë duke u shtyrë me dy javë, pasi në ligjin ekzistues abortet vullnetare kryhen brenda 12 javëve të para. Sipas projektligjit, ndërprerja vullnetare e shtatzënisë bëhet me kërkesë të gruas shtatzënë e shprehur me shkrim, kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog, duhet të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç. Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njëri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet të informohen për vendimin e saj. Projektligji prashikon se ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënim, detyrim, keqtrajtim ose braktisje.

Në këtë ligj parashikohen dhe teknikat e ripordhimit invitro.

Sipas projektligjit, teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar, përdoren edhe për parandalimin e disa sëmundjeve me origjinë gjenetike, që mund të transmetohen nga prindi te fëmija. Aplikimi i teknikave për trajtimin e infertilitetit fillon pas moshës 18 vjeçare dhe përfundon në moshën 53 vjeçare. Kuadri i ri ligjor përcakton dhe afatet e reja për dhuruesit, duke përcaktuar dhe një limit deri në 5 të qelizave riprodhuesve, si për dhuruesit e spermatozoideve, ashtu edhe për dhuruesen e vezëve.

E drejta për riprodhim mjekësor të asistuar, përfshin te drejtën e riprodhimit për çiftet heteroseksuale dhe femrës pa partner.

Projektligji ndalon përdorimin e embrionit për qëllime tregtare dhe eksperimentale. Kryerjen e teknikave me qëllim përzgjedhjen e gjinisë, përpara implantimit në mitrën e një gruaje, me përjashtim të rasteve kur kërkohet të parandalohet një sëmundje serioze e trashëguar, e lidhur me gjininë e fëmijës etj.

Rregullime ligjore ka dhe për shtatzënitë surrogative, e cila bëhet në bazë të një marrëveshjeje me shkrim midis gruas që dëshiron të ketë një fëmijë, por që ndodhet në kushtet e pamundësisë mjekësore, dhe gruas që do të bartë fetusin në mitrën e saj dhe do të lindë fëmijën për llogari të së parës. Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë, duhet të jetë infertile.

Gruaja zëvendësuese nuk duhet të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. Nëna surrogate duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë. Konsultimet publike për këtë projektligj mbyllen më 16 Maj.

Klan News