Nismëtari i “Sunny Hill Festival”,  Dukagjin Lipa shpreh për “Jo Vetëm Modë” emocionet e sjelljes së eventit muzikor në Tiranë. Pjesë e kënaqësisë së tij ka qenë mundësia për të patur më në fund si performues artistin Action Bronson, i cili ka edhe origjinë nga Kosova. Lipa sqaron edhe mungesën e shumëkomentuar të Duas në festival, ndërsa shton se Tirana mund të kthehet në traditë të përvitshme.

Dukagjin Lipa: Ideja në fillim ka qenë ndoshta që kjo të ndodhë. Domethënë prej vitit 2016 kur kemi filluar me festivalin në Prishtinë, në qoftë se ju kujtohet ka qenë një në Prishtinë, ka qenë një në Tiranë. Mirëpo ka qenë e pamundur në atë kohë logjistikisht për ta bërë atë punë ndërsa tani është situatë tjetër, kemi mundësi tjetër kështu që është kënaqësi të bësh dy festivale në dy kryeqytetet e shqiptarëve.

Action Bronson ka qenë një prej akteve të cilat unë e kam pasur dëshirë që ai të vinte në Tiranë, unë  e kam pasur mysafir Action Bronson në vitin 2018 në Prishtinë dhe ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të, më së pari që të vizitojë vendin e vet sepse babain e ka  nga Kosova, nënën e ka amerikane, por ne si shqiptarë e ndiejmë veten në shtëpi edhe në Tiranë, edhe kudo në Shqipëri, kështu që kam pasur qejf që hera e parë në Tiranë të jetë Action Bronson si përfaqësues i hip hopit.

Dua ishte në Prishtinë, ka qenë ndoshta, mos të them informatë e gabuar, por ajo nuk mund të ishte këtu, datat e limituara, nuk mund të ishte në dy vende. Tirana është këtu, nuk po shkon askund, do ta bëjmë prapë. Po shpresojmë ta shohim shpejt./tvklan.al