Komunikimin e tij javor në rrjetet sociale, këtë herë Kryeministri Edi Rama ia ka kushtuar të gjitha strukturave shtetërore, të cilat u angazhuan për të përballuar situatën në vend, për shkak të motit të keq.

Duke u ndalur tek problemet me energjinë eletrike, Rama tha se ajo mbetet pika më e dobët e vendit tonë. Kjo sipas tij, vjen për shkak të trashëgimit të një rrjeti të vjetër e të amortizuar, pa investime prej dekadash.

Megjithatë, Kryeministri shprehet se falë reformës në energji dhe riorganizimit në themel të OSHEE, këtë vit, pavarësisht motit ekstrem pati ndërprerjet më të pakta të energjisë elektrike të 26 viteve të fundit.

“Viti ka nisur me vështirë të jashtëzakonshme, për shkak të uljes dramatike të temperaturave, siç nuk mbahet mend në vite e vite të tëra. Dihet se, çdo dimër, kur temperaturat ulen edhe më pak se kaq, bashkë me stuhitë e dëborës dhe erat e dimrit, pika më e dobët e vendit tonë mbetet pika e shpërndarjes së energjisë elektrike. Kemi trashëguar një rrjet të vjetër e të amortizuar që në thuajse 80 përqind ka moshën e eletrifikimit të vendit, sepse prej dekadash e dekadash nuk është investuar. Dhe pavarësisht investimeve masive që ka nisur OSHEE, vetëm dy vitet e fundit, komunitetet e zonave rurale sidomos, por në mënyrë të veçantë zonave të veriut, ku është dhe klima më e ftohtë, vazhdojnë të bien pre e shkëputjes së energjisë elektrike. Megjithatë, sot duhet nënvizuar se falë reformës në energji dhe riorganizimit me themel të OSHEE, si dhe falë një pune të përkushtuar, shembullore të punonjësve të saj, kjo periudhë delikate e ndërrimit të viteve, pavarësisht motit ekstrem, pati ndërprerjet më të pakta të energjise elektrike të 26 viteve të fundit”.

Kreu i qeverisë nuk lë pa falenderuar punonjësit e OSHEE, për punën e përkushtuar, në disa raste duke rrezikuar edhe jetën e tyre, ndërsa premton se investimet do të vazhdojnë, që dimri i ardhshëm të jetë më pak i vështirë.

“Dua t’i falenderoj edhe një herë të gjithë punonjësit e OSHEE që nuk lanë dhe nuk po lenë pasdore asnjë zonë dhe asnjë fshat, sado larg. Madje këtë herë, ata rrezikuan edhe jetën e tyre, siç ishte rasti i një punonjësi në zonën e Kukësit, të cilit iu dha ndihma e shpejtë në kushtet ku mund të humbte funksionet jetësore, në krye të detyrës. Kjo nuk do të thotë aspak se jemi të kënaqur me sa është bërë, përkundrazi, por duhet bërë krahasimi me vitet e shkuara, sepse ka rëndësi të flitet me gjuhën e fakteve, edhe në kontekstin e kësaj vështirësie të jashtëzakonshme klimaterike. Ndërkohë, gjatë këtij viti do të vazhdojnë intensivisht investimet në rrjetin e shpërndarjes, që do të shtrihen më thellë në zonat rurale, e në ato të veriut të Shqipërisë, pa asnjë diskutim. Prandaj jam i bindur se, pavarësisht temperaturave, dimri i ardhshëm do të jetë më pak i vështirë”.

Falenderime Kryeministri ka edhe Policinë e Shtetit, Ushtrinë e Transportet, ashtu sikurse edhe bashkitë për punën e tyre.

“Gjithashtu, edhe më i mirë, shembullor, ka qenë këtë radhë organizimi i Policisë së Shtetit, e cila ka shpërndarë ndihmat ushqimore në çdo zonë, me një disiplinë dhe përkushtim për t’u falenderuar. Ashtu sikurse edhe këtë herë janë për t’u falenderuar skuadrat e Ushtrisë, të cilat përsëri shpëtuan jetë njerëzit të izoluara nga dëbora dhe në kushte tejet të pa favorshme. Por këtë herë ka spikatur edhe puna e bërë nga strukturat e Transporteve, për sigurimin e kalushmërisë në akset rrugore, ku faktikisht deri më sot janë shmangur bllokimet e gjata apo dhe aksidentet fatale për jetën. Ndikim pozitiv në këtë aspekt, ka patur reforma administrative – territoriale. Bashkitë e reja pa dallim, në bashkëpunim me strukturat e tjera shtetërore kanë bërë që pushteti vendor të jetë më efikas, në hapjen e rrugëve për komunitetet. Ndërkohë, fatkeqësisht janë regjistruar disa jetë të humbura për shkak të ftohtit. Diçka të tillë deri më sot e kishim vetëm me të dëgjuar nga vendet e huaja, që kanë çdo dimër temperatura kaq problematike. Prandaj, sidoqoftë dua të përgëzoj bashkitë, në radhë të parë Bashkinë e Tiranës, e cila është për t’u marrë shembull për masat e marra me emergjencë për strehimin e ushqimin e endacakëve të rrugës, pasi humbjet e jetëve nga i ftohti mund të kishin qenë edhe më mëdha”.

Në fund, Kryeministri, duke rikujtuar se nga dita e hënë rinis procesi mësimor, i uron një semestër të mbarë të gjithë nxënësve e studentëve, ndërsa për ata që do ta rifillojnë mësimin në shkolla ende të pa rindërtuara ai premton se shumë shpejt do të nisë puna për rindërtimin e tyre. Rama zbulon se 1 miliardë dollarë të tjera do t’i shtohen volumit vjetor të investimeve publike për 3 vitet e ardhshme.

“I siguroj se jo vetëm nuk i kemi harruar, po shumë më herët se vonë, puna rindërtuese do të nisë edhe për shkollat e tyre. Qeveria po përgatit një program masiv investimesh në infrastrukturën shkollore, krahas asaj rrugore dhe shëndetësore. Falë këtij programi, 1 miliardë dollarë të tjerë, do t’i shtohen volumit vjetor të investimeve publike për 3 vitet e ardhshme. Më e vështira për motin për këtë periudhë duket se ka kaluar, por sidoqoftë, parashihen edhe disa ditë shumë të ftohta për javën e ardhshme, prandaj Shtabi Qendror i Emergjencave në Kryeministri do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës”.

/tvklan.al