Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Panairin e Punës në qytetin e Beratit, ku janë afishuar 300 vende të lira pune të kategorive e profileve të shumëllojshme.

Kreu i qeverisë tha se deri më tani janë punësuar rreth 10 mijë persona dhe deri në fund të vitit do të përmbushet objektivi prej 25 mijë persona të punësuar.

“Ka një transformim të rëndësishëm të gjithë procesit që zhvillohet nga zyrat e punës. Në Berat kemi zyra pune shumë aktive, kanë realizuar objektivat. Presim rezultatet e Majit.

Bazuar në rezultatet e Marsit dhe  Prillit ku filloi një proces i organizuar pune me objektiva për çdo zyrë punë dhe me projeksionet e Majtit deri tani, prekimi tavanin e 10 mijë të punësuarve vetëm nga zyrat e punës. Kështu që objektivi për 25 mijë deri në fund të vitit vetëm nga zyrat e punës, pavarësisht çfarë punësime bëhen jashtë këtij procesi ku kompanitë bëjnë proceset e tyre është i realizueshëm”.

Sipas kryeministrit ata që duan një punë në shtet nuk duhet të rrinë në kafene dhe të presin, por duhet të aplikojnë në zyrat e punë.

“Kush do punë dhe nuk pret në kafe një punë në shtet mund të fillojë punë. Natyrisht në një pjesë të konsiderueshme këto vende punë janë më paga të ulëta. Por kjo ndodh vetëm në fillim, pas një periudhe pune ka rritje të vazhdueshme të pagës”,

tha Rama.

/tvklan.al