Ceremonia e mbajtur në oborrin e nderit Lezenvalid në Paris, ku ishte i ftuar me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron e impresionoi jo pak Kryeministrin Rama, i cili vijoi ditën e dytë të vizitës zyrtare në Francë, me ftesë të shefit të Elizesë.

Shijen e mirë të pritjes që i kishte rezervuar miku i tij Macron e ndau me të në daljen e përbashkët për shtyp, duke u kthyer pas në kohën kur ishte emigrant në Francë.

“Një ceremoni që s’e kisha imagjinuar kurrë në jetën time. Pastaj jetova ato vështirësitë të mëdha ato kohë, për të gjithë ato që vinin nga Shqipëria. Hera e parë në marrëdhëniet tona që një përfaqësues i shtetit shqiptar pritet në këtë mënyrë”, tha Rama.

Në sytë e Presidentit Macron, rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është i admirueshëm.

“Sa e admiroj rrugën që ka bërë vendi juaj, për miqësinë, për ndjenjat shumë të thella europiane. Do thoja ndoshta edhe më shumë se europiane. Shqipëria ka vazhduar rrugën Europiane me vendosmëri”, tha Macron.

Edi Rama nuk mori vetëm përgëzime për reformat në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe mbështetjen e pakursyer të Francës në këtë rrugëtim.

“Kini besim tek mbështetja jonë, jemi të impresionuar nga tërësia e reformave dhe kapacitete për të avancuar”, tha Macron.

Nga roli i Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të bashkuara, samiti për çështjen e Ukrainës, kontributi për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, si dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve zunë vend në deklaratën e Presidentit Macron.

“Agjencia Franceze e Zhvillimit do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në reformat e saj ekonomike dhe tranzicionin energjetik dhe nënshkrimi i një huaje prej 120 milionë eurosh për reformën mjedisore”, tha Macron.

Të zotit të shtëpisë i kujtoi besnikërinë që tha se populli i tij ka ndaj Francës.

“Jemi “pro” francezë, sepse mendoj se të jesh pro francez do të thotë të jesh etalon i të qenit europian. Nuk mund të jesh “pro” europianë pa qenë “pro” francez. Ne kemi një aftësi besnikërie që është unike. Nëse do të keni nevojë një ditë kur jeni në nevojë thërrisni një shqiptar dhe ai do t’ju ndihmojë shumë”, tha Rama.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron u nënshkrua një marrëveshje ndërqeveritare mbi Kontributin në Zbatimin e Projekteve Prioritare në Shqipëri.

E menjëherë pas saj edhe një marrëveshje huaje për Politikat Publike për të mbështetur Aftësinë Përtëritëse dhe Zhvillimin  e Gjelbër të Shqipërisë.

Më herë mëngjesin e të premtes, Kryeministri Rama u prit në një takim nga Unioni i Sipërmarrësve të Francës mbi mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit afatgjatë, ku merrnin pjesë 35 përfaqësues të kompanive prestigjioze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit.

Tv Klan