Një ditë pas akuzave të Lulzim Bashës dhe disa eksponentëve të PS ndaj LSI, Nënkryetari Luan Rama tha se sulmet tregojnë panikun e tyre ndaj rritjes së LSI –së.

“Prandaj të tjerët janë të shokuar dhe të çoroditur, në panik prej rritjes së LSI-së, të përçarë e të demoralizuar prej listave skandaloze, jo përfaqësuese dhe largimit gjithnjë e në rritje të votuesve të tyre, ata shohin rritjen e LSI-së dhe nuk menaxhojnë dot panikun e tyre. Punë për ta, ata le të vazhdojnë të merren me LSI-në, unë nga Selia Qendrore e LSI-së, por në emër të gjithë anëtarëve, simpatizantëve, mbështetësve dhe votuesve të shumtë të LSI-së, mund t’i ngushëlloj me vargjet e Migjenit: “Rrugës për në theqafje këtejpari i ranë”.

Lulzim Basha e akuzoi LSI-në për matrapazë në politike, por Luan Rama thotë se PD e Bashës lufton vetëm për vendin e tretë dhe nuk është në garë me LSI –në, që synon vendin e parë në rivalitet me Partinë Socialiste.

“LSI-ja sidomos në Tiranë dhe këtë më lejoni t’jua them me shumë bindje, është e barabartë në garë me PS-në.  Pra ne luftojmë përballë PS-së për vendin e parë në Tiranë, luftojmë përballë PS-së për vendin e parë në Durrës, për vendin e parë në Elbasan, për vendin e parë në Fier. Ndërkohë që jemi absolutisht të parët në qarkun e Beratit dhe në qarkun e Gjirokastrës”.

Numri dy i LSI -se iu përgjigj edhe Kryeministrit Rama që deklaroi një ditë më parë së Partia Socialiste kërkon që timoni i qeverisë të jetë vetëm i saj, për të mos mbajtur në prehër të tjera forca politike.

“E para nuk dua t’u referohem shprehjeve të mekanikës apo të automjeteve se qeverisja nuk është një makinë. Qeverisja është një përgjegjësi, qeverisja është një mision, qeverisja është shërbim ndaj qytetarëve të vendit dhe referuar këtij koncepti dhe këtij vlerësimi, ne ofrojmë modelin, drejtimin e ri të qeverisjes krejt të ndryshëm nga qeverisjet e mëparshme, që kanë pasur në fokusin e tyre kryetarët me timonin dhe jo qytetarët me hallet e tyre”.

Deklaratat e Luan Ramës nga selia e LSI vijnë pas disa akuzave të ndërsjellta mes disa eksponentëve të PS e LSI që akuzojnë partitë respektive si pengesë në zhvillimin e vendit.

Tv Klan