Kryeministri i vendit, Edi Rama ka thënë se kryebashkiaku i Pogradecit është ankuar për diskriminim gjatë takimit që ka pasur me kryetarët e bashkive të vendit në qytetin e Shkodrës.

“Për hir të së vërtetës, kryetari i Bashkisë së Pogradecit ishte ai u ankua për diskriminim. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit është një nga kryebashkiakët më punëtorë, më efektivë, më efikasë dhe ai pati një kritikë në adresë të një ministrie për diskriminim. Nuk dëgjova asnjë tjetër të ankohet. Unë e kuptoj që çdo kryetar bashkie nuk do të ishte një kryetar i duhur bashkie nëse nuk do të ankohej që pse nuk marrim më shumë”, u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur për kundërshtarët politikë se nuk i duken të djathtë, por thjesht të zgjedhur që bëjnë punën e tyre dhe që nuk vënë karrocën para kalit, por kalin para karrocës.

“Ne nuk kemi asnjë arsye që t’i shikojmë kryetarët e bashkive, ju thoni të djathtë, por mua më duken thjesht të zgjedhur që bëjnë punën e tyre dhe që siç e thashë, nuk e vënë karrocën para kalit, por vënë kalin para karrocës dhe janë në rregull dhe përsa kohë që do të bëjnë këtë, do të bëjnë gjënë e duhur për komunitetin e tyre dhe pastaj bindjet e tyre janë punët e tyre dhe jo tonat. Ne do të bëjmë çmos që t’i afrojmë dhe bindjet, nuk diskutohet”, tha Rama.

/tvklan.al