“Shqiptarët kanë folur troç, kanë vendosur me një votë kuq e zi”,

me këto fjalë iu drejtua Kryeministri Edi Rama mijëra simpatizantëve të mbledhur në sheshin “Skënderbej” për të festuar fitoren në zgjedhjet parlamentare 2017.

“Shqipëria që duam është mbi të djathtën dhe të majtën. Populli ka zgjedhur PS për ta udhëhequr vendin si fuqi e vetme qeverisëse. Shqiptarët zgjodhën për Shqipërinë e bashkuar, jo atë partiake.”

Rama tha se sfidat e vendit sot janë shqiptare, të vjetra e të reja, jo të demokratëve apo socialistëve. 

“Duke e pranuar me emocion dhe me përulësi këtë zgjedhje ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë dhe jo me shembullin e forcës kundër të tjerëve. 

Sfidat sot nuk janë sfida socialiste apo demokrate, por janë sfida shqiptare, janë sfida të vjetra dhe të reja, të të njëjtit atdhe, nën të njëjtin flamur shqiptar kombëtar, për familjet dhe në radhë të parë për fëmijët e së njëjtës tokë, ku jemi lindur jo të majtë, jo të djathtë, jo të ndarë, por të njëjtë në gjak, në gjuhë dhe vazhdimësinë e historisë.”

Kryeministri Rama theksoi se fitorja është e Shqipërisë dhe e njerëzve të zakonshmëm të këtij vendi.

“Duke u përulur përpara të gjithë atyre që na zgjodhën, qytetarëve socialistë, demokratë, pa parti, të moshuar e të rinj nga veri në jug, burra e gra, duke falenderuar të gjithë ata që e kryen detyrën e lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje, pavarësisht nëse nuk votuan si shumica, u them të gjithëve, fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, ndërsa e jona është vetëm barra e madhe e përgjegjësisë. E imja në radhë të parë, për të mos harruar në asnjë minutë të katër viteve të ardhshme se shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam”.

Rama tha se shqiptarët kishin votuar

“për të mos harruar se në vend të një koalicioni të radhës mes partive që ndajnë tepsinë e pushtetit, shqiptarët kanë zgjedhur koalicionin tonë drejtpërdrejtë me ta, jo që ne ta marrim atë tepsi të vjetër të gjithën për vete, por për ta çuar për skrap një herë e përgjithmonë.”

Më tej, Kryeministri Rama theksoi se detyra e marrë është e vështirë, si për qeverisë ashtu edhe për opozitën dhe se të gjithë bashkë, duhet tashmë të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund politikës së drejtimit të gishtit.

“Mos qoftë e thënë që konkurrentët tanë, të zgjedhur prej atyre që nuk na zgjodhën ne, t’i shohim si armiq të mundur dhe t’i trajtojmë si të tillë. Ne nuk kemi fituar një kampionat, por kemi marrë një detyrë shumë të vështirë, ata nuk kanë humbur një kampionat, por kanë marrë një tjetër detyrë aspak të lehtë… Në radhë të parë neve, pastaj edhe atyre, të gjithëve bashkë, na takon të bëjmë çmos për t’i dhënë fund politikës së rrahjes së gjoksit për meritat dhe të drejtimit të gishtit për fajet tek njëri-tjetri.” 

/tvklan.al