Instagram po zhvillon opsion “Blend” që do të krijojë një faqe kryesore private me video Reels të rekomanduara për ju dhe një shok. Kompania është shprehur për TechCrunch se opsioni është një prototip i brendshëm dhe nuk po testohet jashtë.

Sipas një fotoje të publikuar në X, Blend përfshin “rekomandime për Reels të bazuara në Reels që i keni dërguar njëri-tjetrit si dhe në temat që ju interesojnë”.

Në fjalë të tjera, nëse ftoni një shok në “Blend”, Instagram gjeneron një faqe kryesore të personalizuar me Reels që mendon se të dy ju do të kishit interes. Opsioni ngjan me funksionin me të njëjtin emër në Spotify, i cili ka dalë në vitin 2021 dhe lejon dy persona që të kombinojnë këngët e preferuara në një listë të përbashkët.

Sipas fotos, Blends do të jenë private mes jush dhe përdoruesit tjetër dhe secili mund të largohet në çfarëdo kohe. Instagram nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për përditësimin e Blends, nëse do të ndodhë vazhdimisht apo pas një kohe të caktuar.

Opsioni është dizenjuar që t’u mundësojë përdoruesve të zbulojnë Reels të reja së bashku si një formë për të rritur kohën e qëndrimit në Reels. Duke qenë se përdoruesit i dërgojnë video njëri-tjetrit në mesazhe, Instagram do t’i përdorë të dhënat për të rekomanduar dhe shfaqur Reels që mendon se dy përdorues do t’i pëlqenin.

Nuk dihet ende se kur Instagram do ta lançojë opsionin e ri. Duhet thënë se ky mund të jetë një avantazh në raport me TikTok-un i cili nuk e ka një opsion të tillë./tvklan.al