Nuk mund të mungonte, “Maratona e Këngës”, edhe në perlën e jugut, buzë Jonit, në qytetin e Sarandës. Këtë vit Saranda ishte e tejmbushur nga turistë shqiptarë e të huaj, dhe si dëshmi e këtij frekuentimi të jashtëzakonshëm turistik, ishte edhe skena e Maratonës.

Mijëra admirues të këngës, qëndruan deri në mesnatë, jo vetëm në pjesën e plazhit të rezervuar për organizimin e koncertit, por edhe përgjatë pedonales, duke krijuar vështirësi komunikimi e lëvizje në momente të caktuara.

Kështu qytetarët e shumtë, kryesisht turistët por edhe sarandiotët duartrokitën fuqishëm të gjithë këngëtarët që performuan në skenë, nga emrat e njohur Irma Libohova, Irini Qirjako, Eranda Libohova e deri te grupet AlarBand e Revoltklan, të cilët animuan e bënë të kërcenin veçanërisht publikun e ri.

Ky koncert ku morën pjesë artistë nga e gjithë Shqipëria, nga shkodranët Bujar Qamili e Ervin Bushati, e deri te grupi i vlonjatëve, Maja, Rovena Ibrahimi e Marjola Kacani, ku u kënduan motive jugu e deri në Kosovë, falë mbështetjes së Bashkisë Sarandë e kryetares së saj, Floriana Koka, renditet si spektakli më masiv e më popullor i këtij sezoni veror, duke shënuar qytetin e 11-të në një tur maratonomak që vazhdon.

Tv Klan