Kombëtarja është prej 2 javësh pa trajner dhe Federata Shqiptare e Futbollit është në kërkim të zëvendësuesit të Gianni De Biasi.

Lista e emrave ka qenë e gjatë ku pjesa më e madhe janë italianë mes tyre më i lakuari ishte Filippo Inzaghi, por që sipas mediave italiane do të qëndrojë te Venezia. Së fundi një tjetër ish i Milan përmendet si kandidat, Clarence Seedorf.

Për Presidentin e Federatës, Armand Duka, i kontaktuar nga Televizioni Klan nuk ka asgjë konkrete për emrin e ri. Seedorf pak kohë më parë ishte pranë stolit të Santos, por skuadra e njohur braziliane e gjeti trajnerin.

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi javën e kaluar se pret të përcaktojë pasuesin e De Biasi brenda muajit korrik, pasi do të vlerësojë kandidaturat, pasi në shtator trajneri duhet të udhëheqë ekipin në takimet me Lihtenshtejnin dhe Maqedoninë. Gianni De Biasi foli për mediat në vendin e tij ku tha se trajneri i Shqipërisë do të jetë një italian me një përvojë të caktuar dhe jo shumë i ri. TV KLAN