Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, tha se me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, janë koordinuar për strategjitë për ta çuar përpara çështjen e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

“SHBA-ja e mbështet fuqishëm dialogun si rrugë për marrëdhënie paqësore dhe produktive”, shkroi O’Brien në platformën X.

Në një postim tjetër Lajçak, shkroi se në Uashington u diskutua rruga përpara në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.

“E rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së”, theksoi Lajçak.

Ndonjë detaj për strategjitë e përmendura nuk u bë i ditur. Bashkësia ndërkmbëtare është duke i bërë trysni Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është arritur vitin e kaluar.

Kosova është nën presion për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia për ta njohur de facto Kosovën. Ky asociacion është përmendur, ditëve të fundit, edhe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë një gjë të tillë.

Franca u ka kërkuar shteteve anëtare shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës për shkak të mos përmbushjes së detyrimit për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Takimi i ministrave të Jashtëm, që duhet të marrin vendimin përfundimtar për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i planifikuar më 16 dhe 17 Maj.

Edhe Gjermania mban qëndrimin se qeveria e Kurtit duhet të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me Asociacionin për të përfituar anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këtë qasje nuk e ka përkrahur Britania e Madhe, e cila mendon se çështja e Bashkësisë së Komunave Serbe nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Presidenti francez i ka bërë thirrje Kurtit për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Klan News