Hoyt Brian Yee, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan te Shtetit i ka kërkuar Serbisë të tregojë vullnet të qartë nëse dëshiron që vërtetë të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Duke folur një dite më parë nga Beogradi, Ji tha se SHBA nuk e kupton se për cilën arsye punonjësit e Qendrës Humanitare Ruse në Nish duhet të kenë imunitet diplomatik, kur kjo nuk është normë ndërkombëtare. 

“Nuk besoj se dhënia e imunitetit diplomatik për personelin e qendrës ruse do të ndihmonte Serbinë që të përmbushë synimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi kjo nuk është normë ndërkombëtare”.

Zyrtari amerikan shtoi se caktimi si lektorë, i njerëzve që janë dënuar për krime kundër njerëzimit nuk tregon vullnet për të dënuar krime të tilla. Zyrtari i lartë ishte i drejtpërdrejtë kur tha se Beogradi ka vetëm një rrugë, atë drejt Brukselit.

“Nuk mund të qëndroni ulur në dy karrige, veçanërisht nëse ato janë larg njëra tjetrës, kjo nuk është normë në bashkësinë ndërkombëtare. U propozoj partnerëve tanë serbë që të pyesin Rusinë se çfarë ndihme i jep ajo Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Që ju të jeni të përparuar e integruar në BE, duhet të punoni me nismat që ju afrojnë me Brukseli.”

I pyetur se a do ta ndihmojnë Shtetet e Bashkuara dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, tha se SHBA është e përfshirë prej fillimit të dialogut dhe nuk është ndonjë sekret fakti që merr pjesë në këtë proces./Tv Klan